Dy bashkëkryetarët e koalicionit qeverisës Edi Rama dhe Ilir Meta kanë zhvilluar dje pasdite, një takim të tensionuar me temë Reformën në Drejtësi, në selinë e Kryeministrisë. Biseda ka zgjatur rreth 1 orë e 20 minuta dhe në përfundim të saj, Meta është parë të dalë nga Kryeministria me një mimikë që shprehte hapur pakënaqësi.
Burime të besueshme brenda takimit kanë deklaruar për “Syri. Net”, se kreu i LSI,që në fillim të takimit i ka kërkuar hapur Ramës që të bëjë hapa përpara, për sa i përket konsensusit me opozitën për reformën, duke i kujtuar se ai ja ka bërë të qartë këtë që në fillim të nisjes së procesit. Por Rama i është përgjigjur se, “ai nuk ka për detyrë konsensusin me opozitën, por provokimin e saj”. Mësohet se Meta ka insistuar duke i kujtuar Ramës, se fronti pro konsensus tashmë është shumë i gjerë, duke përfshirë edhe ndërkombëtarët. Por Rama ka këmbëngulur në qëndrimin e tij se tashmë “kjo punë” duhet të ndahet vetëm mes PD-së dhe SHBA-BE.
I njëjti burim, thotë se Meta është përpjekur herë me qetësi dhe herë me nervozizëm, ti shpjegojë Ramës, se në të gjitha variantet që përjashtojnë konsensusin, më datën 21 korrik është e pamundur që të sigurohen 94 vota. Por Rama është treguar, pak i interesuar për këtë pjesë. Duket se ky ka qenë edhe fundi i takimit mes dy krerëve që ende ndajnë qeverisjen e vendit, por që duket se tashmë presin vetëm 21 korrikun, për të rivlerësuar pas 3 vitesh pozicionet.
Kjo përgjigje e Ramës ndaj Metës është artikuluar, edhe publikisht menjëherë pas takimit gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Fakultetit të Drejtësisë. Pyetjes së një studenti, se çfarë mendimi kishte ai për këmbënguljen e kreut të LSI për kompromis me opozitën, ai i është përgjigjur: “Meta e ka për detyrë dhe për natyrë kompromisin!…“.
Duke lënë kështu të kuptohet edhe publikisht, se as që e mendon fare variantin e kompromisit për reformën më të rëndësishme të pluralizmit shqiptar, siç është ajo në sistemin e drejtësisë./Marre nga SYRI.net