Prej më shumë se tre orësh grupi i xhirimit dhe gazetarë të A2 CNN, por edhe kolegë nga mediat e tjera që po udhëtojnë drejt Selanikut për të ndjekur takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë, janë bllokuar nga policia greke në Pikën e Kalimit Kufitarë të Kapshticës.
Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi sqaroi për “Ditarin e Fundjavës” nga Erion Dushi se doganierët grekë në kufi i ka lënë në pritje ekipet e gazetarëve dhe operatorëve, duke i thënë se presin një autorizim nga Ministria e Jashtme, e madje duke mos ju kthyer mbrapsht as pasaportat e tyre.
“Ne ndodhemi që prej orës 15:00 (me orën lokale në Greqi) këtu në doganën e Kapshticës, në krahun e palës greke, pasi në doganën shqiptare janë ushtruar të gjitha kontrollet dhe kemi kaluar me parametra normalë. Më pas me të mbërritur te autoritetet greke, policia e Greqisë na mori pasaportat. Na kërkoi nëse kemi ose jo një letër konfirmimi nga ana e Ministrisë së Jashtme greke. Duhet të kujtojmë se ekipi i A2 CNN ka qenë në Greqi në Maj dhe nuk ka kërkuar pala greke asnjë dokument nga Ministria e Jashtme helene, apo autoritetet shqiptare. Megjithatë autoritetet shqiptare i kanë dërguar një notë verbale, që A2 CNN e disponon, Ministrisë së Jashtme greke me listën e emrave të gjithë ekipeve të mediave. Këtu në doganën e Kapshticës ndodhet ekipi i A2 CNN dhe TV Klan që nuk u lejuan të kalojnë. I kemi pyetur se sa do të vonohemi. Ata na kanë deklaruar edhe pak minuta dhe kjo përgjigje erdhi kur kishim 30 minuta që prisnim. Kemi diskutuar me ta dhe u kemi thënë se në Maj ishim në Greqi dhe nuk na kanë kërkuar dokument autorizimi nga Ministria e Jashtme greke, por na kanë thënë se nuk e dimë çfarë bëjnë pikat e tjera. Ne e kërkojmë”, sqaroi gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi.
A2CNN madje ka komunikuar nëpërmjet telefonit me Ministrinë e Jashtme greke dhe ata janë shprehur se do ta dërgojnë përgjigjen së shpejti, por pa përcaktuar një afat kohor.
Një precedent i tillë vështirë se mund të mbahet mend, pasi Shqipëria nuk ka penguar asnjëherë në doganat me Greqinë grupe xhirimi të mediave greke, të cilat kanë ndjekur live ngjarje si ceremonia mortore e Konstantinos Katsifas në vitin 2018, takimet e politikanëve grekë me minoritetin, apo edhe procesin zgjedhor të Himarës. (A2 Televizion)