Nga L. Skiro/

Sot në mesditë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, është parë nga gazetarët duke hyrë në zyrën e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Takimi ka zgjatur rreth dy orë. Ditën e  shtune, në fundjavën e kaluar, një takim si ky është zhvilluar mes zotit Lu dhe disa ministrave në selinë e kryeministrit. Disa zëra thanë se Lu ka takuar kryeministrin, disa thanë “jo”. Ata që mohuan takimin me kryeministrin thanë se Lu ka takuar zëvendës- kryeministrin Peleshi, ish kryetar Bashkie në Korçë. Por si njëra palë edhe tjetra, nuk lanë pa thënë se në takim merrte pjesë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Sejko.

Paqartësia mbi takimin në selinë e qeverisë u krijua pikërisht për shkak të mungesës së një njoftimi zyrtar para ose pas takimit në kryeministri. Kjo “mjegullnajë” informative ka ndodhur sa herë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara Lu ka zhvilluar takime me qeveritarë.

Sot kryetari i Kuvendit Meta doli menjëherë para mediave dhe, sipas stilit të tij “hermetik” tregoi mbi takimin. Ai tha se takimi u zhvillua në kuadrin e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe për procesin e dekriminalizimit të politikës. Sigurisht që kjo është një “kapak” për të mos treguar çfarë është biseduar, por të paktën publiku “gënjehet” në mënyrë të hapët.

Zoti Meta para gazetarëve iu përgjigj dy pyetjeve:

E para, si mendon mbi atë që ka thënë ministri Vasili (i LSI) mbi nevojën e një Bordi i Monitorimi për zgjedhjet. Kësaj pyetjeje zoti Meta i është përgjigjur se “nuk jam këtu për të dhënë hollësira”.

Pyetja e dytë ishte: Ku u fokusua diskutimi për Reformën Zgjedhore? Meta u përgjigj se për këtë do të zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Por të paktën u tha se takimi Meta- Lu u zhvillua sot në mesditë.

/Veritas.com.al/