Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në “Twitter” ka dhënë detaje për takimin e pasdites me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit Amerikan Matthew Palmer i cili ka mbërritur sot në Shqipëri dhe shihet si mundësia më e mirë për zgjidhjen e krizës politike.
Rama shprehet se me Palmer ka folur për disa çështje me rëndësi për Shqipërinë si marrëdhëniet SHBA – Shqipëri, integrimin europian të Shqipërisë por edhe dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa ka përmendur në fund situatën politike në vend.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Mathew Palmer”, shkruan Rama.
Takimi mes zyrtarit të lartë amerikan, Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe kryeministrit Edi Rama ka zgjatur rreth 1 orë e gjysmë. Palmer ka qenë Kryeministrinë i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane Leyla Moses Ones.
Vizita e zyrtarit amerikan i shërben zgjidhjes së krizës politike, pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve. Por përveç kryeministrit Edi Rama, Palmer do të ketë takime edhe me liderë të tjerë ë vend.
Palmer vjen në Shqipëri në një kohë kur opozita e bashkuar ka djegur mandatet ndërsa ka paralajmëruar edhe protesta të vazhdueshme në vend, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.
Veritas.com.al/