Nga: L. Skiro/
Në fakt duhej të kishte ndodhur e kundërta: Sot , në të ftohtë, duheshin djegur mandatet e deputetëve, sepse të paktën do të vlenin për një ngrohje… Tjetër vlerë nuk kanë më mandatet e deputetëve, sidomos të opozitës, por as të maxhorancës.
Sepse Opozita nuk mundi të mbajë premtimin para popullit për të ndaluar zgjedhjen ‘antikushtetuese’ të Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori u zgjodh, madje një prokurore qe kurrë në jetën e vet nuk paska firmosur një dosje hetimore. E vetmja meritë e saj qenka se ka qenë nën hijen e prokurorit Manja ‘pej Shkodre’ i cili tani bën ligjin në Komisionin e ligjeve. Por nuk është vetëm ky problemi: Problemi është se Opozita deklaroi se ‘Kuvendi bëri grusht shteti’ dhe se ‘u thye Kushtetuta’. Atëherë pse i duhen më mandatet për këtë Kuvend?
Por nga ana tjetër as deputetëve të maxhorancës nuk iu nevojitet më mandati i deputetit. Përpjekjet e Partisë së tyre për të kapur Drejtësinë do të sjellin një katastrofë demokratike dhe qytetare; por edhe një rrënim politik për ata.
Ideja e shprehur nga zoti Berisha, ish president dhe ish kryeministër i Republikës, u duk sikur zuri vend te deputetët e Opozitës. Në fakt, në publik zuri vend vërtet, sapo u dëgjua përmes mediave televizive. Deputetët e PD dhe opozitës tjetër u futën në një sallë ‘për të marrë vendim’. Por kur dolën nga salla thanë se ‘kemi vendosur që në janar të ketë protesta’.
Interesant, këta morën një vendim që nuk varet prej tyre. Vendimin për protestë e merr secili, edhe pavarësisht nga Patia. Ndërsa djegien e mandatit duhet ta marrë grupi parlamentar, duke deklaruar se nuk i hynë në punë mandati…
Me sa duket u ndjenë në klimë të ftohtë për të arritur deri në djegien e mandateve. Sepse Kuvendi ka salla të ngrohta, ngrohur me pasurinë publike; ka edhe paga të mira…
Jo, jo! Nuk mund të digjen mandatet në këtë stinë.
Veritas.com.al/