
Në rubrikën e tij “Sy m’Sy” kryeministri Edi Rama zgjodhi komentin e një qytetari nga Durrësi për t’i kthyer përgjigje.
“Durrësi akoma furnizohet një orë në ditë, ndërsa ju vendosni si zonë, pjesërisht me ujë 24 orë. Fakti që nuk pranoni realitetin, ju bën më pak të besueshëm se në 2013, kur të besuam dhe ta dhamë votën masivisht”, shkroi në “Facebook-un” e kryeministri qytetari.
Për këtë kryeministri Rama së pari e falenderoi për votën e hedhur për të dhe partinë etij në vitin 2013, ku më pas sqaroi se për ujin e pijshëm në qytetin e Durrësit janë investuar rreth 60 milionë Euro.
“Kur ti më dhe votën, kishte a s’kishte 3 orë ujë në ditë gjithandej. Që kur ti më dhe votën kemi investuar për ujin e pijshëm në Durrës, rreth 60 milionë euro më shumë se të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku me përfitues banorët e të gjitha njësive administrative të asaj bashkie, ku të mos harrojmë, s’ka pasur kurrë ujë 24 orë se ka rëndësi ta kujtojmë edhe këtë. Atëherë, ne kemi rindërtuar apo ndërtuar krejt nga e para linjat e ujit të pijshëm në shumë segmente.
Këtu kam shumë, por po të përmend nga lagjja 1, në lagjet 13 plazh, 14 Shkozet, 15 Spitallë, nga Ishmi, sektori Rinia dhe deri në Manëz. Nga Hamallaj, Rashbull, Romanat, Shijak dhe Xhavzotaj dhe si rezultat, sot që flasim, disa zona të qytetit si Spitalla, Porto Romano, një pjesë e Durrësit të ri, ose ish-Këneta, siç e quan bufi, apo zona e Nishtullës, furnizohet 24 orë ujë në ditë dhe ndërkohë në pjesët e tjera, furnizimi varion 18 deri 20 orë maksimumi, deri në minimumi katër orë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë gjatë sqarimit të tij tha se 28 fshatra në qytetin e Durrësit ka furnizim me ujë të pijshëm 24 orë, kurse 9 të tjera kanë furnizim me ujë 4-8 orë në ditë. Duke përmendur të gjitha investimet në kanalizimin e ujit të pijshëm, Rama tha se ka akoma punë për t’u bërë, prandaj sipas tij vota më 11 Maj duhet të shkojë për atë parti që çon punët deri në fund.
“Në zonën rurale, 28 fshatra kanë furnizime me ujë 24 orë. 9 fshatra kanë furnizim me ujë 4-8 orë, ndërsa 11 fshatra kanë furnizim me ujë 2 deri në 4 orë. Ndërsa në plazh, furnizimi me ujë ka arritur 7-8 orë në ditë, por ama ka shumë, shumë rëndësi dhe kjo të duhet për 11 majin që të informohen të gjithë se brenda këtij viti, projekti i financuar nga Agjencia Franceze për Zhvillim, hyn në rrugën e realizimit, pasi janë bërë të gjitha procedurat dhe falë këtij projekti, brenda mandatit të 4, përmbyllim edhe të gjithë programin e furnizimit me ujë 24 orë në Durrës.
E pra, shumë e thjeshtë. Shkop magjik nuk ka, por ama ta përsëris, çfarë është bërë dhe çfarë është investuar për ujin e pijshëm në këto tre mandate, nuk është bërë dhe nuk është investuar në dekada e dekada të tëra të marra së bashku. Dhe mos harro, në rang vendi, kur ne morëm detyrën, kishim vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë. Sot kemi 43 dhe 98 të tjera zona rurale, ndërkohë që 11 zona urbane janë në kantier dhe deri në fund të mandatit të 4 përfundon gjithë programi kombëtar i furnizimit me ujë 24 orë edhe për 16 zona urbane dhe 37 rurale, duke e përmbyllur transformimin historik në sektorin e ujit të pijshëm”, shtoi kryeministri.
Komente