Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë konfirmuar mbështetjen për projektdeklaratën e Grupit Parlamentar Drejtësi dhe Integrim për t’i kërkuar Greqisë heqjen e ligjit të luftës.

Pr/deklarata që u depozitua në Kuvend nga Shpëtim Idrizi dhe deputetët e tjerë të këtij grupimi do të diskutohet në seancën e ditës së enjte.

Gjithashtu, parashikohet dhe një hapësire kohore për diskutim ku palët do të shprehin qëndrimin e tyre para se të miratohet.

Deputetët e PDIU u shprehën javën e kaluar se kjo kërkesë për Kuvendin duhej të ishte bërë prej kohësh dhe presin nga të gjitha forcat politike që ta votojnë.

“Grupi i PDIU ka depozituar në kuvend projekt deklaratën për miratim nga parlamenti që kërkon heqjen e ligjit të luftës së Greqisë me Shqipërinë. Është një nismë që duhej bërë prej kohësh. Është shprehje vullnetit politik të parlamentit dhe forcave politike”, tha Mesila Doda pak ditë më parë.

“Kjo deklaratë është dëshmi e politikës sonë paqësore, por të vendosur për të gjetur zgjidhje pas 84 vjetësh në lidhje me një absurd juridik i mbështetur mbi një absurd historik. Në këtë projekt deklaratë, Kuvendi vlerëson rëndësinë që kanë marrëdhëniet strategjike me Greqinë dhe vullnetin e dyanshëm për përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënieve tona. Të dy vendet tona janë anëtarë të NATO-s dhe bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes sonë të përbashkët”, tha Idrizi.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *