Frrok Çupi/
Kot thonë se ‘jam demokrat’ a ‘jam liberal’. Madje edhe ‘i dënuar’ në diktaturë, prapë ke një shpirt me këta. E besoni se të gjithë kanë një shpirt: Komunizëm?!
Po i tregoj ca prova pak më poshtë, por tani po kthehem te ‘Shpirti i Njeriut’- një vepër filozofike e shkruar nën frikë dhe e groposur po nën frikë, aty nga vitet ’50 të shekullit të kaluar. Veprën e ka shkruar Oscar Wilde dhe e ka shpërndarë vetëm privatisht në 50 kopje. George Woodcock, historian dhe analist i anarshizmit, që në fakt është libertarian komunist, shkruan se Wilde me këtë libër “Shpirti i Njeriut nën Socializëm” kërkon shoqërinë më të favorizuar për artistin…”.
Pse nuk e lejuan Wilde ta shpërndante librin në miliona kopje? Sepse të gjithë bashkohen te ‘i njëjti shpirt” në shoqërinë e artistit. Nuk është pamje radikale, është një e vërtetë edhe këtu te ne.
Ja një fakt:
Një nga tre partitë kryesore, sot në një deklaratë mbi Reformën në Drejtësi, tha se kjo është si “një përrallë nga e kaluara”. Ideja ishte për të goditur kundërshtarin, por pa ndonjë lidhje logjike. “Përrallë nga e kaluara” është një titull filmi irealizmit socialist.
Arti i Realizmit socialist, që në fakt është shpirti i komunizmit në Shqipëri, njësoj si Judaizmi në teorinë komuniste të Marksit, përbën shpirtin e polemikës, të debatit, të pamjes, të zhvillimit dhe perspektivës në ‘regjimin’ aktual demokratik.
Kjo ishte më e fundit dhe më e thjeshta. Por pa kthehuni në kujtesë. Çdo ditë politikanët ‘demokratë’, ‘antikomunistë’, ‘liberalë’, ‘zogistë’, ‘ballistë’, ‘viktima komuniste’- të gjithë flasin me shpirtin komunist në dorë. Kur deshën të sulmojnë qeverinë për kanabisin, demokratët thanë se ‘malet me kanabis mbuluar’, sipas një tingëllime të një kënge- marsh sovjetike të kënduar nga komunistët shqiptarë gjatë Luftës . Nuk kanë kaluar as dy ditë që nga momenti kur antikomunistët iu sulën kryeministrit duke e krahasuar me ‘Koçin e Teta Ollgës”- një film i realizmit socialist. Në fakt edhe vetë socialistët kanë krahasuar opozitarin Basha si ‘Koçi”.
Nuk ka një ditë që në fjalimet publike të politikanëve, o në Kuvend, o në foltore partiake, o në ekrane televizive, o në ndonjë shesh- të mos luftojnë me armët: “Trimat e xha Jahos”, “Lulëkuqet mbi mure- ‘hani hani se kujdestari është i mirë’”, “Ballë për ballë”, “Plaku Mere”, “Besniku i Partisë”, “Pjetër Mustakuqi”, e dhjetra…
Këta janë tituj ose pasazhe nga filmat e periudhës së realizmit socialist, që është shpirti i komunizmit…
Për këta, koha ka ngrirë!
Atëherë si mund të bëhet ‘de-komunistizimi’ i shoqërisë, çfarë kërkojnë disa politikanë ‘sa për të larë gojën’?! Edhe sot një nga demokratët ka kërkuar që të ‘bëhet ligj mos- përdorimi i simboleve të komunizmit’. Me siguri, duke iu gërmushur maxhoranës ‘ish- komuniste’ politikani u bë gati t’u drejtohej me batutën: “Po qëndroni si i teti në bronz”.
Pas kësaj nuk mund të kryhet as dekomunistizimi, as dekriminalizimi, as prishja e bunkerëve… Një nga zyrat kryesore të shtetit, salla e mbledhjeve të komisioneve parlamentare dhe e komisioneve kryesore të Reformës në Drejtësi, e dini cila është?… Është salla e mbledhjeve të Byrosë Politike të PPSH. Përnatë shfaqet në ekranet televizive… I njëjti trekëndësh ku në krye rrinte diktatori Hoxha, të njëjtat tavolina, të njëjtat karrige, e njëjta formë. Gjithë fshatrat e vendit kanë ndryshuar pamjen me vila të reja, por zyra e Byrosë mbahet ‘varfërisht’ si simbol i shtetit.
Është shpirti i Njeriut- si vepra ndaluar e Wilde- që i jep shtetit shpirt komunist.
Cili është fajtori? Askush. Atëherë, përderisa nuk ka fajtor, nuk ka as faj. Përderisa nuk ka faj, atëherë nuk mund të ketë ndryshim.
Shpirti komunist rri fshehur e hapur si ‘art’ komunist. Edhe kur nuk është art komunist, është- të paktën mungesë e një arti tjetër post- komunist. (Politikanët tanë përgjithësisht janë injorantë, të ngushtë e të thatë. Nuk dinë asgjë tjetër veç asaj që u është ngurtësuar në shpirt).
Ku është e keqja?
Edhe kur nuk është ligj komunist, është fjalor komunist. Por kur është fjalor komunist- ky ka magjinë që hyn në ligj dhe në sjellje; fjalori është si rrëkeja. Po fole si nazist- patjetër që ke brenda nazizëm (alias komunizëm). Po nuk pranove kulturë tjetër, atëherë do të mbash ‘të pafajshme’ kulturën komuniste.
Të gjithë njësoj në radhë, njësoj, për në ‘shpirtin komunist’.
… Atëherë, në qoftë se do të ecim kështu në rrugën që individualizmi nuk do të trembet nga tirania ose skllavëria- shkruan Ocar Wilde- “ atëherë hapi i fundit i njeriut do të jetë më i keq se i pari”.
Veritas.com.al/