Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, ka vendosur që të shkarkojë kryegjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boçi. Zoti Poçi u bë objekt i një video- skandali, të transmetuar dje pasdite në emisionin investigativ “Stop” të Televizionit kombëtar Klan.

KLD u mblodh posaçërisht për të marrë masë administrative ndaj kryetarit të Gjykatës, zotit Boçi. Për propozimin e shkarkimit të tij nga detyra e kryetarit të Gjykatës votuan të gjithë anëtarët e KLD; të gjithë votuan “pro- shkarkimit”.

Për herë të parë, në mbledhjen e KLD shfaqet edhe emri i gruas “viktimë” ndaj të cilës Boçi kishte kërkuar favore seksuale në shkëmbim të dhënies së drejtësisë. Ajo quhet Rudina M. Rudina M. kishte një çështje gjyqësore për disa prona dhe kreu i gjykatës së Gjirokastrës në takimet që kishte zhvilluar me të, i kishte kërkuar që të bëhej e dashura e tij.

Një gjë që bie në sy është se askush nga anëtarët e KLD, kur secili prej tyre është një gjykatës, nuk vuri asnjë shenjë dyshimi mbi fajësinë ose jo fajësinë e kryetarit, paçka se zëri i tij shfaqet në regjistrimin e fshetë të gruas.

Vetë zoti Boçi ka deklaruar por mediat se në akuzën ndaj tij nuk ka asgjë të vërtetë; “as e njoh atë grua”- ka thënë. Ai ka shtuar se “do t’i drejtohem drejtësisë”.

Ndërkaq Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një hetim për akuzat e “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndaj ish-gjyqtarit Boçi.

/Veritas.com.al/