Mjekët stomatologë, ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë kanë dalë kundër vendimit të marrë në tetorin e vitit të kaluar, 2018 nga Urdhri i Stomatologut, për vendosjen e çmimeve dysheme sa u përket shërbimeve që ofrohen në klinikat stomatologjike.

Pas vendosjes për të dyfishuar çmimet e shërbimeve dentare, sot Ministria e Shëndetësisë ka çuar në gjykatë vendimin e Urdhrit të Stomatologut. Mes tjerash, siç argumenton vet organi i ministrisë, vendimi i marrë nga Urdhri i Stomatologut është i paaplikueshëm, pasi nuk ka tagrin ligjor.

Të gjendur përballë kundërshtimeve masive, vetë drejtuesit e USSH-së janë tërhequr nga vendimi i tyre, duke i cilësuar vetëm si ‘çmime orientuese për pacientët’.

‘Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë’ në fund të tetorit ka paraqitur propozim për vendosjen e çmimeve dysheme për shërbimet dentare në vend. Kreu i këtij urdhri, Nikoll Deda ka pohuar se për hartimin e këtij projekti u morën për bazë çmimet e afishuara në mbi 300 klinika e kabinete dentare në të gjithë Shqipërinë, 10% e gjithë dentistëve.

Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, para 1 janarit 2019, pacientët duhet të paguanin 2.000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose dyfish.

Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat edhe pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2,000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%). Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte.

Veritas.com.al/