Frrok Çupi/

Sot në mëngjes Bota u zgjua “ndryshe”. Ndryshimi i Botës ndodhi; ndodhi sepse njerëzimi, ose qeliza e botës, e deshi ndryshimin.  Bota ishte lodhur dhe rraskapitur nga “ujërat” që nuk lëvizin, nga vjedhjet, krimet, mashtrimet, korrupsioni, intrigat, luftërat e kota, vrasjen e mijërave për postet dhe pasuritë e dikujt…

Këta që krijuan “kënetën” këta ishin kundër Donald Trump; kundër me mish, me shpirt dhe me armë. Nuk kishin gjë me Donald, ndoshta- “gjënë” e kishin me Ndryshimin. Këta nuk deshën ndryshimin, edhe pse qeliza e botës që është njeriu kërkonte ndryshim. Amerikanët e sollën ndryshimin; Perëndimi, as Athina e Roma e lashtë nuk kanë më pse thonë se “nuk e presim nga amerikanët”… Donald Trump nuk është i dinastive, nuk është i ujërave të ndenjura, nuk është i hajdutërive, nuk është i Sorros dhe i asnjë “sorre” në botë- ja për këtë e urrenin. Prandaj dukej sikur gjithë Bota ishte kundër Trump. Por në thelb, njeriu paskësh qenë me Trump, dmth, bota njerëzore paskësh qenë me Trump.

As ata të ujërave të ndenjura nuk kishin ndonjë faj të madh. Në fund të fundit- njerëz pa atribute e pa kontribute. I mblodhi së bashku “fati” kundër njeriut; fati i krimit së bashku, i mbylljes së portave për të vërtetën, i vrasjes prapa shpine, i dhunimit të botës arabe përmes “pranverës arabe”, i sulmit mbi qytetërimin evropian duke përdorur si armë turmat njerëzore të refugjatëve. “Dy armiq të mëdhenj ka sot bota- kishte thënë zëvendës- presidenti Joe Biden: Njëri- Mubarak i Egjiptit, tjetri- Julian Assange i WikiLeaks”. Sa turp! Kaq minimale e kërkonin botën, aq sa të mbytej në “kënetën” e tyre.

Në fakt këta të ujërave të ndenjura nuk kishin ndonjë faj. Këta ishin thërritur në shërbim, sepse dinë të shërbejnë. Ç’faj kishte, psh., ky më i fundit, Wolf Blitzer- gazetar i CNN?.  “Wolf Blitzer ndodhet në orën e vetëvrasjes!”- shkruan, sapo shkruan, gazeta Mail online.  Sot “Twitter” tallet me dëshpërimin që ra në fytyrën e tij dhe të kolegëve në kohën kur u shpall fitorja e Trump- shkruan gazeta. – Edhe dy anchormenët e CNN, Anderson Cooper and Jack Tapper, kanë humbur qëkurse u shpall fitorja e Trump” shkruan ‘Mail online’.

Të paktën në Amerikë akoma ka një moral ku “i humburi”, vjen një moment kur zhduket. Këtu te ne dhe në shoqëri të tjera të dobëta, akoma nuk është arritur kjo vlerë. Mbrëmë shikoja analiza në ekrane të Tiranës, analiza mbi zgjedhjet në Amerikë sikur flisnin për fshatin Gosë në Kavajë ku rriten derra të mirë. Mburravecë, të “gjithëditur”, patriotë idiotë që thonin se Clinonët e kanë shpëtuar kombin shqiptar. Talleshin me Trump. Të ngrefosur. Të gjithë “të humbur”.

Këta që janë “të humbur” nuk kanë ndonjë faj. Ku humbi kryeministri i Shqipërisë, i cili ka deklaruar (në CNN- ironike) se “po fitoi Trump do t’i prish marrëdhëniet me Amerikën”? Që nga data 3 Nëntor nuk ka shënuar asgjë as në Twitter, veç sot kur tha se “duhej të fitonte Clinton”, dmth ajo që ishte. Humbi, u zhduk.

“Të humburit” nuk kanë asnjë faj. Se në fund të fundit nuk u bënë vetë, as të fituar as të humbur. Në fund të fundit këta që kemi këtu i bëri George Sorros- një problem i madh i Botës, që desh të zhyste edhe Amerikën, përfundimisht, në ujëra që nuk lëvizin.

Këta nuk kanë asnjë faj, këta nuk e njohin Ndryshimin; atëherë si mund ta pranojnë?!

Ka edhe të tjerë nëpër këtë botë të ndotur që duan të qëndrojnë aty, në ndotësinë e krijuar prej tyre; dhe të mos lëvizin. Qeveri të shumta nga Azia dhe nga Europa reaguan menjëherë sapo mësuan për fitoren e Trump. Qeveri që iu kanë zënë kallo të pasmet në kolltuqe dhe në krime. Këta e përjetuan si humbje fitoren e Trump. Jo vetëm ata “të fundit” e botës, por edhe të tjerë që bëjnë që na thonë se “çoç janë”.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ku po ndërtohen mure kundër refugjatëve, reagoi pse Trump ka folur për ndërtim muresh. (Apo nuk koincidoi ardhja e Trump me Tetorin e shembjes së Murit të Berlinit!). “Jam në “huge shock”- deklaroi ministri gjerman që në mëngjes. “Mbaroi “Pax Americana”, tha ky sikur të ishte krijuesi i Botës. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Marc Ayrault tha se “pranoj të punoj me Trump, por kam disa pyetje”. .. “Ky vit do të jetë viti i katastrofës së dyfishtë në Perëndim”- tha Carl Bildt i Suedisë, njeriu që ka njëqind vjet në pushtet dhe vjen rrotull vendeve të varfra të Ballkanit si “mësues i mos- ndryshimit”. Sa shumë nga këta të ujërave të ndenjura vijnë rrotull nesh “të prapambeturve të Europës” dhe bëjnë si mësimdhënës! Pastaj ne i quajtëm “shpëtimtar” të kombit, “çlirimtarë të Kosovës”. Padituri dhe vetmashtrim!

… Ata që janë ulur në ujërat e ndenjura dhe nuk e duan ndryshimin, nuk kanë faj. Ishte një kohë e gjatë pa Ndryshim, një botë e tërë duke shtresëzuar të keqen. Një kohë e gjatë që nga Lufta e Dytë; një kohë e gjatë që nga Beatles, që nga Muri i Berlinit, që nga burgosja e Assange… Kishin krijuar kënetën.

/Veritas,com.al/