Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, thotë se togat e zeza duhet të jenë mbrojtësit më të mëdhenj të shtetit të së drejtës dhe shembulli i ingritetit.

Në Konferencën e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qëndrore dhe Lindor, që u zhvillua në qytetin e Vlorës, Sadushi theksoi se Gjykata e Lartë duhet të jetë streha e drejtësisë dhe e vendimeve të drejta për qytetarët.

Sipas tij, askush nuk duhet të trembet nga presionet dhe se në këtë pikë nuk ka vend për kompromis.

“Forca e një gjyqësori qëndron në unitetin dhe vizionin e përbashkët, me synimin që drejtësia të bëjë drejtësi. Ne duhet të jemi shembulli më i lartë i integritetit dhe mbrojtësit më të zjarrtë të shtetit të së drejtës. Jemi këtu jo vetëm për të diskutuar sfidat, por për të ofruar zgjidhje konkrete, për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe për të forcuar besimin te institucioni më i vyer i demokracisë – gjykata.

Duhet t’u tregojmë qytetarëve se nuk ka vend për kompromis, kur vjen fjala te paanshmëria dhe integriteti profesional. Ne ndajmë jo vetëm jurisprudencën, por edhe kurajën për të mbrojtur të vërtetën, pa u trembur nga asnjë presion, cilado qoftë natyra e tij. Vetëm kështu do të rrisim besimin e çdo qytetari se Gjykata e Lartë është strehë drejtësie dhe se pas çdo objektivi të ligjit qëndron njeriu, dinjiteti dhe e drejta e tij për një vendim të drejtë”, u shpreh ndër të tjera Sokol Sadushi.

Fjala e plotë e Sokol Sadushit:

Është një nder i veçantë që, pas 13 vjetësh, të presim sërish këtë Konferencë të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore.

Si Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ndjej një përgjegjësi të madhe dhe një privilegj të veçantë për t’ju përshëndetur në emër të kolegëve të mi gjyqtarë, duke iu bashkuar falenderimit për CEELI Institute dhe për të gjithë Ju që na besuat organizimin e Konferencës së XV të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qëndrore dhe Lindore, me synimin e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit për një drejtësi më të pavarur, transparente dhe të unifikuar në rajonin tonë.

Jo pa qëllim, vendosëm ta zhvillonim këtë konferencë, pikërisht në Vlorë. Përveç bukurive që natyra i ka dhuruar, Vlora është qyteti ku, në vitin 1912, u shpall pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi mbi 500-vjeçar i Perandorisë Osmane. Këtu u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar. Prandaj Vlora bart një simbolikë të veçantë për drejtësinë që synojmë të ndërtojmë: një drejtësi të pavarur dhe bashkëkohore. Ky vend na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por mbi të gjitha çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë që synon të cenojë parimet e drejtësisë.

Ne krenohemi që mblidhemi sot si përfaqësues të Gjykatave të Larta të vendeve që dolën nga errësira e regjimeve komuniste. Ne kemi qenë dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës tek shteti i së drejtës, dhe e dimë mirë çfarë çmimi është paguar për këtë. Prandaj, jemi këtu për të thënë qartë: drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis.

Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur gjyqësori, kudo, përballet me sfida që nuk njohin kufij kombëtarë: nga ndikimi i teknologjisë e globalizimit të çështjeve juridike, deri te rreziqet e dezinformimit dhe ndërhyrjet në gjyqësor.

Çdo konflikt, pavarësisht qëllimit, përfundon në dyert e gjykatave. Për këtë arsye, rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet edhe më e madhe.

Vetëm përmes komunikimit të hapur, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave konkrete mund të identifikojmë problemet e përbashkëta që na shqetësojnë si rajon dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, të bazuara mbi parime të përbashkëta të drejtësisë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *