Edhe Bujar Asqeriu ikën nga FRONTI, shkruan sot media e vënë në krah të mos- shembjes së Teatrit Kombëtar.

Në fillim ishte rreshtuar si një nga kundërshtarët më të ashpër të shembjes së Teatrit Kombëtar. Shpërthimet e tij publike plot pathos dhe forcë njëkohësisht, në takimin  me ministren e Kulturës apo nëpër protesta, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Por sot ka një qëndrim diametralisht të kundërt me atë çfarë deklaronte javë më parë. Fjala është për aktorin Bujar Asqeriu. Duke folur për ‘TiranaPost’, ai është pro shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, për të cilën shprehet se u ka marrë jetën shokëve të tij aktorë.  Sot Bujar Asqeriu shprehet kundër protestës që po zhvillojnë kolegët e tij artisë.

‘Nuk e mbështes protestën që bëhet tani. S’ka më sens! Logjika më e thjeshtë është që artistët të mendojnë ndryshe. Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem më sepse është sëmundje. E kam thënë gjithmonë dhe nuk pranoj. Dua të ngre dhe një herë zërin me forcë duke i kujtuar edhe një herë qeverisë shqiptare të kthejë vëmendjen në mënyrë serioze ndaj artistëve, që nga ligji për Teatrin e nga statusi për ta, për godinat mendojnë arkitektët. Ne duhet të merremi me të drejtat tona. Nga ajo Godinë që vdiqën shokët e mi më duket se jam sëmurë edhe unë. Jam për paqe sociale dhe mua s’më përdor dot as PD e as PS. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua”, tregon Asqeriu.

Veritas.com.al/