Koment/
Ndërtimi i një Teatri të ri në vend të selisë 70 vjeçare të Teatrit Kombëtar, tashmë është kthyer në ‘legjendë politike’ e emërtuar ‘shembja e Teatrit’. Politika opozitare, e mbetur pa punë politike, i është ngjitur godinës së vjetër gati në shembje për të mos i lënë ndërtuesit e rinj që të shembin godinën e vjetër. Për njëfarë kohe, kur PD dhe LSI po hidhnin bomba molotov në bulevard dhe mbi selitë e institucioneve të larta shtetërorë, e harruan ‘Teatrin’. Tani që mbetën jashtë sistemit: pa deputte, pa pushtet qendror, pa pushtet lokal, pa besim nga populli dhe pa marrëveshje me aleatët e mëdhenj të Perëndimit, këta të Opozitës iu drejtuan përsëri Teatrit. ‘Nuk lëmë njeri që ta shembë Teatrin’, thërriti Lulzim Basha i PD duke shkelur mbi plaçkat e hedhura përtokë dhe mbi gërmadhat e godinës që po prishet.
Kështu ka thënë kryetari i PD edhe për zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërsa zgjedhjet po bëheshin, ai thërriste para të mashtruarve se ‘nuk lejojmë të ketë zgjedhje’. Mirëpo teatri i zgjedhjeve mbaroi, Lulzimi nuk ka arenë tjetër për të deklaruar absurd dhe të pavërteta, prandaj ka ardhur në Teatër.
Sot në mëngjes, një grusht njerëzish, mes të cilëve dy aktorë thuajse të pa emër, i janë drejtuar teatrit për ta mbrojtur dhe për të luftuar kundër Policisë. Pas disa orësh vjen edhe Lulzimi, i cili ulet me fytyrën ‘si stuhi’ siç teatron zakonisht para kamerave; dhe është ulur në një karrige spektatori. Me këtë akt, Lulzim Basha ka thënë figurativisht se ‘tani e tutje jam vetëm një spektator në arenën politike’. Ai ia ka hedhur në lumë të gjitha mundësitë dhe vlerat politike. Tani është karrigia e spektatorit në Teatër.
Kanë ardhur edhe pak njerëz ‘artistë’ që dinë të recitojnë vargje melankolike. Edhe këta aktrojnë për qefin e tyre dhe interesin e tyre. Aktorët që kanë rrethuar Teatrin janë nga ata nostalgjikë muresh të vjetra, por pa asnjë vlerë tjetër artistike. Secili prej tyre ka marrë përsipër që të aktrojë para politikës. Aktorët e paaftë që lidhen pas mureve të vjetra kanë shpresë vetëm te politika; sa më servilë ndaj politikës aq më mirë mendojnë se sapo të vijë në pushtet politika do t’i marrë në punë edhe aktorët e paaftë.
Njëri nga aktorët, Lici, nis e qanë me lot para kamerave. Gazetarët po kaq të paaftë emocionohen, këta janë gazetarë që kurrë nuk kanë shkuar ne Teatër dhe nuk e dinë se çdo Liç mund të qajë sa herë t’i dojë qejfi sepse ky është zanati i tij.
Ndërsa pjesë të vjetra të Teatrit po transportohen për diku tjetër, ata vazhdojnë të thërrasin se ‘nuk e lejojmë Teatrin të prishet’. Këtu kanë ardhur një grusht njerëz që me sa duket nuk kanë gjetur mundësi të shkojnë buzë detit apo ta ‘djegin’ kohën diku tjetër. Njëri prej tyre bëri një kërcim e ra përdhe, tha se e shtyu policia, erdhën mjekë dhe e vunë në barelë. Aktrim prej diletanti. Sapo gazetarët dhanë lajmin se ‘po vdes’ një protestues, ai harroi e ngriti kokën prej shtratit portativ dhe i bëri me sy dikujt.
Të gjithë po aktrojnë. Por është teatrimi i fundit politik i këtij sezoni.
Edhe Presidenti Meta hyri në aktrim. Ai duket se nuk ka shkuar kurrë në Teatër. Në kërcënimin e tij ndaj qeverisë, ai tha shprehimisht: “Aktori Edmond Budina nuk është trembur kundër diktaturës në vitet 90, e jo më të trembet tani”. Në fakt Edmond Budina është vellai, këtu është Robert Budina qe ankohet se ka grisur kepucet, edhe ky aktor dhe regjisor thuajse i dështuar përfundimisht. Presidenti i di njësoj, si Robert, si Edmond, mjaft që janë ‘Budina’. Edhe ky në Teatrin e marrëzisë…
Ja kështu po ndodh në Teatrin e fundit. Nesër pritet një Teatër i ri.
Veritas.com.al/