Ndërsa artistë dhe qytetarë vijojnë protestën kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, nuk kanë munguar as replikat në distancë mes vetë aktorëve.
Aktori i madh shqiptar, ‘Artist i merituar’, ‘Artist i Popullit’ dhe “Nderi i Kombit” Robert Ndrenika i është përgjigjur kolegut të tij Guljelm Radoja, i cili ditën e djeshme e pyeti se “përse u shit”.
Radoja i cili është rreshtuar krah tyre që nuk duan prishjen e Teatrit, ka folur para qytetarëve duke iu drejtuar edhe kolegëve të tij që dikur e kundërshtuan shembjen por më pas u deklaruan pro saj.
Ai iu kërkoi artistëve e qytetarëve që kauza e Teatrit të mos politizohet dhe iu bëri thirrje kolegëve që të ruajnë dinjitetin e tyre, duke iu referuar madje dhe aktorit të madh Robert Ndrenika, ndonëse nuk e përmendi me emër.
Në lidhje me deklaratën e tij, “Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, i cili ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato. Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika.
Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:
“Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?! E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika. Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit. Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.
Veritas.com.al/