Temperatura nën zëro, i ftohti i acartë dhe ngricat kanë pushtuar vendin tonë ditët e fundit.

Sipas MeteoAlb bregdeti dhe zonat e ulëta vijojnë me kthjellime dhe ngrica, por vranësira më të shpeshta dhe temperatura ekstremisht të ulëta do kenë zonat malore përgjatë kufirit Lindor. Ky stabilitet i kushteve atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë orëve të natës, kur vranësirat shtrihen pothuajse në të gjithë vendin duke sjellë ndonjë reshje të izoluar dëbore.

Temperaturat do të ulen në mëngjes, por një ulje të ndjeshme do të ndjejmë edhe gjatë mesditës me të paktën 3 gradë duke luhatur vlerat ditore nga -13°C deri në 7°C.

Në Kukës temperatura ka arritur deri në -16 gradë celsius, ndërsa janë arritur të zhbllokohen pjesa më e madhe e akseve rrugore, përveç asaj që lidh Nj.Ad Arrën me rrugën nacionale.

Në Qarkun e Korçës reshjet e dëborës kanë ndalur, megjithëse temperaturat vijojnë të jenë të ulëta, deri në -12 gradë. Rrugët janë të kalueshme, megjithëse rekomandohet pajisja me zinxhir.

Temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë mbërthyer edhe Durrësin, duke boshatisur sheshet dhe rrugët kryesore të qytetit.

Pikërisht këto temperatura ekstremisht të ulëta për vendin tonë kanë bërë që Ministria e Arsimit për shkak edhe të mungesës së kushteve në shkolla, t’i mbylli ato përkohësisht për tre ditë nga data 24-26 janar.