“Unë nuk e kuptoj pse duhet të rrinë ministrat tanë në qeveri?! Duke u distancuar që tani nga marrëveshja, sepse marrëveshja ishte një nga shkaqet e humbjes. Zoti Basha, ia kam thënë dhe do ja them prapë, tërhiqi ministrat nga qeveria. Prano që ne nuk bëjmë koalicion qeveritar me Partinë Socialiste. Demokratët nuk duan një koalicion me PS. Unë këtë linjë kam, ju mund të më votoni kundër, është e drejta juaj, por unë i kësaj linje jam. Nëse ne duam të vijmë në pushtet duhet ta fillojmë opozitën që tani. Shqiptarët na kanë votuar në opozitë. Nëse ne do të vazhdojmë të luajmë me dy porta, shikojmë nga duart LSI e PS apo ndonjë tjetër, unë mendoj se humbja jonë do vazhdojë të thellohet edhe me shumë”, tha Selami në takimet e tij në Gjirokastër dhe Këlcyrë.

Eduard Selami tha se Partia Demokratike e ka shpërdoruar besimin që shqiptarët i dhanë në vitin 1992, duke u dorëzuar para ambicies për të shndërruar Shqipërinë në histori suksesi.

“Ishte mandat për t’u ndarë nga një epokë brutale. Ne e filluam mirë por e shpërdoruam, e dorëzuam. Nuk e shpërdoroi Gjermania pas luftës së dytë botërore, Konrad Adenauer,  përkundrazi  vazhdoi disa mandate.  79 vjeç ishte kur e vazhdoi mandatin e parë dhe e bëri Gjermaninë  histori suksesi. Pse? Sepse zgjeroi demokracinë, krijoi institucione, mësoi nga eksperienca amerikane. Së bashku ne vendosim një kontratë të re siç e kemi pas në vitin 1992. Unë di ta rikthej PD-në,  të funksionojë si parti bashkëkohore, si simotrat e PPE, me rregulla loje ku karriera dhe meritokracia do zgjidhet nga ju me 1 anëtar 1 vote”, tha Selami.

Veritas.com.al/