Inspektorati i Lartë të Drejtësisë administron në gjykata dosjet e lirimit me kusht të të dënuarave dhe nis shqyrtimin e tyre. Priten kërkesa të tjera për shkarkimin e magjistratëve që u kanë liruar vrasësit.

Krahas goditjes së grupit të Krujës nga SPAK, në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani aktualisht janë hapur  dhe po shqyrtohen dosjet e ‘nxehta’ të lirimit me kusht të të burgosurve të rrezikshëm, disa prej tyre të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda, por që sot kanë lënë qelitë ose kanë nisur lëvizjet për të fituar lirinë. Bazuar në një vendim të posaçëm të datës 11 shkurt 2020, fillimisht, Inspektorati i Lartë të Drejtësisë, u ka kërkuar gjykatave që të paraqesin dosjet e shqyrtimit të kërkesave të të dënuarve, për t’u liruar me kusht nga burgu. Kreu i ILD-së Artur Metani, përmes këtij dokumenti të ditëve të fundit, informon Kuvendin se aktualisht po shqyrtohen materialet e referuara nga gjykata për lirimet me kusht të të dënuarave.

Zyra e Inspektorit të Lartë do të hetojë praktikën e ndjekur për çdo kërkesë për lirim me kusht, rolin e prokurorit dhe gjyqtarit, ku për çdo rast shkelje, do të nisë procedimin disiplinor. Lëvizja e ILD-së vjen pas denoncimit nga media të praktikave skandaloze të lirimit nga burgu të krerëve të bandave dhe vrasësve të shumëfishtë, sidomos gjatë tre viteve të fundit, por hapja dosjeve të lirimeve nga burgu përkon edhe me aksionin e fundit të SPAK, ku u arrestua në sallën e gjyqit gjyqtarja Enkelejda Hoxha, teksa po lironte të dënuarin e radhës për vrasje, në këmbim të 12 mijë eurove.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha konsiderohet edhe si ‘simboli’ i fenomenit të zbrazjet së qelive nga të dënuarit. Nga viti 2017, Hoxha liroi nga burgu Genc Tafilin, Ilir Pajën, Hekuran Billën dhe Endrit Doklen, ndërsa ishte në hapat e fundit për të liruar Saimir Petanin, që të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 25 vite burg. Por, Hoxha nuk është e vetmja protagoniste e biznesit të lirimit të të dënuarve nga burgu, bazuar në raporte fiktive dhe manovrave të ndryshme. Janë rreth 30 gjyqtarëve të niveleve të ndryshme, të cilët kanë marrë pjesë në lirimit nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm apo me 25 vite burg, në mënyrë të dyshimtë.

Në 12 shkurt të këtij vitit, kreu i ILD, Artur Metani, u dha një mesazh të qartë gjyqtarëve të përfshirë në biznesin e zbrazjes së qelive, teksa tha se “Ajo që dua t’i them sistemit është që vërtetë Inspektori I Lartë I Drejtësisë nuk mund të jetë çekan mbi kokat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të prekur pavarësinë e tyre, por nuk ka shans më, që shkeljet e tyre ligjore të shkojnë pa u ndëshkuar. Secili të bëjë llogaritë e veta tani”.