Një juri federale në SHBA ka shpallur kompaninë Tesla pjesërisht përgjegjëse për një aksident fatal të ndodhur në vitin 2019 në Florida, ku humbi jetën një këmbësore dhe u plagos rëndë i dashuri i saj. Kompania është dënuar të paguajë mbi 200 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa themeluesi i saj Elon Musk po përpiqet të sigurojë miratimin rregullator për teknologjinë e vetëdrejtimit të makinave.

Sipas vendimit të jurisë, Tesla mban një të tretën e përgjegjësisë për aksidentin, ku një Model S që përdorte sistemin Autopilot përplasi një makinë të parkuar me një shpejtësi prej 80 kilometrash në orë.

Avokatët e paditësve argumentuan se aksidenti ndodhi për shkak të vetëkënaqësisë së drejtuesit, e nxitur nga pretendimet e ekzagjeruara të Teslës për aftësitë e sistemit të ndihmës në drejtim. Ata akuzuan kompaninë për mosmodernizim të teknologjisë pas rasteve të mëparshme dhe për lejen që i jep shoferëve të përdorin sistemin Autopilot në rrugë për të cilat nuk ishte projektuar.

Tesla, nga ana tjetër, fajësoi drejtuesin e automjetit, i cili, sipas kompanisë, kishte humbur përqendrimin pasi i kishte rënë telefoni dhe kishte këmbën në pedalin e gazit. Sipas udhëzimeve të Teslës, drejtuesit duhet të qëndrojnë gjithmonë të vëmendshëm dhe të kenë kontroll të plotë të mjetit kur përdorin sistemet e asistencës.

Gjykata urdhëroi që Tesla të paguajë 200 milionë dollarë në dëmshpërblim ndëshkues, si dhe 19.5 milionë dollarë për familjen e viktimës dhe 23.1 milionë për të dashurin e saj të plagosur.

Edhe pse shuma e vendosur nuk përbën një rrezik financiar për kompaninë me vlerë rreth 950 miliardë dollarë, ky vendim është i rëndësishëm pasi përbën rastin e parë federal ku Tesla shpallet përgjegjëse për një aksident që përfshin softuerin e saj të vetëdrejtimit.

Tesla ka arritur marrëveshje për disa çështje të ngjashme jashtë gjykatës dhe ka fituar dy raste të mëparshme në nivel shtetëror.

Rasti i Floridës ka rikthyer vëmendjen mbi akuzat ndaj kompanisë për marketing të gabuar dhe deklarata të Elon Musk, të cilat sipas paditësve, i paraqesin sistemet Autopilot dhe Full Self-Driving si më të afta sesa janë realisht. Në të vërtetë, të dyja kërkojnë që drejtuesi të jetë plotësisht i vëmendshëm dhe i gatshëm të ndërhyjë ndryshe nga taksitë autonome të kompanisë Waymo, ku pasagjerët mund të udhëtojnë pa ndihmën e një shoferi.

“Tesla e projektoi Autopilot-in për autostrada me akses të kontrolluar, por qëllimisht nuk e kufizoi përdorimin e tij vetëm në këto rrugë,” deklaroi avokati i paditësve, Brett Schreiber. “Në të njëjtën kohë, Elon Musk i thoshte botës se Autopilot ngiste më mirë se njerëzit. Gënjeshtrat e Teslës e kthyen rrugët tona në pista provash për një teknologji me të meta të rënda.”

Tesla ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, duke e cilësuar atë “të gabuar” dhe të dëmshëm për zhvillimin e teknologjisë së sigurisë automobilistike. Edhe Musk e konfirmoi apelin në platformën X (ish-Twitter).

Një raport i Administratës Kombëtare për Sigurinë e Trafikut në Autostrada të SHBA-ve (NHTSA), i publikuar vitin e kaluar, analizoi 956 aksidente dhe vuri në dukje një “mungesë kritike sigurie” në sistemin Autopilot të Teslës, e cila kishte çuar në përdorim të gabuar dhe aksidente të shmangshme.

Edhe pse vendimi i gjykatës lidhet me një version më të vjetër të softuerit që më pas është përmirësuar disa herë, ai mund të ketë ndikim më të gjerë për planet e Teslës për të nxjerrë në rrugë një flotë taksish autonome (“robotaxi”).

Musk ka premtuar që mijëra automjete vetëdrejtuese Tesla dhe Cybercab pa timon dhe pedale do të qarkullojnë në rrugët e SHBA vitin e ardhshëm.

Teknologjia e drejtimit autonom konsiderohet thelbësore për të ardhmen e kompanisë, veçanërisht në një kohë kur shitjet e automjeteve kanë rënë, për shkak të polemikave politike që përfshijnë Musk dhe ndryshimeve të politikave federale për mbështetjen e automjeteve elektrike nga presidenti Donald Trump.

Në qershor, Tesla nisi testimet për shërbimin e saj robotaxi në Austin, Teksas, me një numër të kufizuar përdoruesish të zgjedhur, kryesisht influencues në rrjete sociale dhe fansa të markës. Këtë javë, kompania njoftoi gjithashtu një shërbim të ngjashëm në San Francisko, por me shofer në timon, pasi nuk ka aplikuar ende për një licencë shtetërore për shërbime plotësisht autonome.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *