Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mbërritur në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë për intervistim nga prokurorët.

Atë e kanë pritur disa dhjetëra shqiptarë që po protestojnë kundër ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim. Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është storje suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”, ka thënë Thaçi para selisë së Speciales, teksa dëgjoheshin brohoritjet ‘UÇK-UÇK!’ dhe ‘Thaçi – Thaçi!’.

Siç raportoi gazetari i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, protestuesit po mbajnë transparente me mesazhet që kujtojnë krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

“Ne nuk kemi heronj për të sakrifikuar”, “Ne e shohim se nuk ka drejtësi për të gjithë, por nuk kemi besuar se nuk ka fare drejtësi”, “Ky është racizëm”, “Çfarë duhet t’u themi fëmijëve të prindërve të zhdukur nga regjimi i Milosheviqit?”, “Ku është drejtësia për 20 mijë gra të përdhunuara në Kosovë nga regjimi serb”, thuhet në disa prej pankartave të protestuesve.

Specialja ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli.

VERITAS.COM.AL