Nga Denis Dyrnjaja
Jeta e një djali 14 vjeçar u ndal në mënyrë tragjike nga një bashkmoshatar i cili e goditi me thikë në zemër pas një zënke për shkaqe krejt banale mes adoleshentësh në Shkollën Fan Noli në Tiranë. Kjo ngjarje e rëndë “ulëret” për degradimin shoqëror ku kemi shkuar dhe ku po zhytemi gjithnjë e më shumë por edhe më shpejt. Ngjarja raportohet si të ishte diçka rutinë, si një kronikë e zakonshme lajmesh, si një sherr aksidental i rëndomtë. Dhe ky reagim i ftohtë dhe tërësisht mekanik publik në fakt e bën situatën alarmante. Pra fakti që ka një mpirje shoqërore dhe një reagim si të ishte diçka krejt e natyrshme, e bën këtë ngjarje më shumë tronditëse se vetë akti i humbjes së jetës së një adoleshenti.
Vetëm zemra e nënës e shpirti i babait të tij e dinë trazinë që u ka shkaktuar ikja e parakohshme, por më shumë e pakuptimtë, e birit të tyre. Çfarë mund të justifikojë marrjen e jetës në këtë mënyrë kaq të lehtë, por dhe kaq të tmerrshme, ku thika shënjon zemrën e një 14 vjeçari në mes të Tiranës?! Nuk ka fjalë ngushëlluese e, nuk ka drejtësi shpaguese për ta. Se të birin nuk ua kthen dot askush, as falja, as pendesa e as dënimi maksimal i ndëshkimit penal. Pra e gjitha është dëshpëruese deri në pikëllim. Por a është kjo një ngjarje një tragjedi e izoluar? Përgjigjja është e prerë, jo. Një tjetër ngjarje do të vijë po kaq ose edhe më tronditëse se kjo sepse janë kushtet shoqërore e kulturore që e paralajmëroinë atë.
Pesë bashkëmoshatarë u përfshinë në një sherr, ku dy prej tyre mbeten viktima të dhunës e cila kishte nisur në rrjetet sociale dhe më pas u zhvendos në jetën reale. Pra bilanci është tragjik në të gjitha anët. Një të riu iu ndal jeta në të 14-tat e tij, e shoku i vet i shpëtoi errësirës së përhershme të varrit, fatmirësisht me plagë që nuk i morën jetën, nga një gjaknxehtësi moshe, që merr frymëzim në ferrin e dhunshëm që ka pushuar çdo hapësirë publike në rrjetet sociale e mediatike. Pra një 14 vjeçar shkoi pa kthim për të lënë familjen e tij në pikëllim, ndërsa autorët me gjasë do të duhet të mbyllen për disa vite pas hekurave të një qelie, vetëm se një çast egoja e moshës, nevoja për famë a për bujë dhe ndoshta për ndonjë arsye dhe më banale i çoi drejt një perleshjeje fatale për të gjithë.
Komente