Frrok Çupi/

Që në mëngjes u zgjova me lajmin se dy militantë të pavarësisë së Katalonjës i burgosën. Prita gjithë ditën kur do të reagonte bota- por pse? Militantët shpërblehen keq….

Nuk e kam fjalën për çdo militant. Do të më dukej e tepërt të shkruaja edhe ‘i verbër’. Nuk janë gjithnjë të verbër, edhe pse bien në greminë…

A ishte i verbër Koçi Xoxe?… Jo, madje e pushkatuan pse kishte shikim më të largët se vetë shefi i tij, diktatori i Shqipërisë. E pushkatuan edhe pse ishte ‘një hap përpara’ si militant… Koçi Xoxe ka qenë ‘Saimir Tahiri’ i sotëm…

Ministër i Brendshëm- në karrigen e Tahirit. I rreptë kundër njeriut- si Tahiri; i ngrefosur- si Tahiri; me një origjinë të panjohur- njësoj si Tahiri që nuk dihet nga erdhi; i vrullshëm si Tahiri që fillimisht e quajtën ‘Koci Bako’; i lidhur me jashtë sidomos me Titon- njësoj siç bëri shpesh Tahiri për t’i mbushur mendjen shefit të tij kryeministër…

Tahiri e teproi në militantizëm; dhe prandaj po ha kokën. Njësoj si Koçi Xoxe, që shkoi para skuadrës së pushkatimit dhe puthte foton e Enver Hoxhës. ‘Ky burrë nuk di çfarë po bëni me mua!”- u thoshte ushtarëve.

Ndërsa Tahiri i sotëm e teproi në militantizëm, duke i shërbyer shefit dhe pas kësaj duke hyrë në afera kriminale me banda- siç ka shkruar edhe media italiane sot. Pse ‘afera kriminale’? Sepse aty përballë është shefi, të cilit i ka shërbyer me devotshmëri dhe i beson verbërisht… Njësoj siç ndodhi me Koçi Xoxen, Ministrin e Brendshëm në diktaturë. Ai i shërbeu ‘mjeshtrit’ deri në pikën e fundit: Vrau e preu njerëz; vari mace ; dërgoi në Veri xhelatë që u prenë gjinjtë femrave; dërgoi në jug katilë kundër ballistëve…, dhe më në fund iu duk vetja se ishte ‘Tito i dytë’.

… Për Saimir Tahirin, ministër i Brendshëm i parafundit, ka shrkuar sot shefi i tij, Rama. Ai thotë: “Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdo qoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam … Asnjë luhatje”- shkruan kryeministri.

Iku Tahiri!, e shikoni?! Siç iku vetë Koçi Xoxe. Siç ikën të gjithë militantët. Militantët kur ikin nuk do njeri ‘me dijtë’ për ta. Sepse militanti është militant për shkak se shikon veten të pa plotësuar me vlerë; militanti bëhet militant sepse i mungojnë shumë ‘aksesorë’ dhe se kërkon më shumë se ç’është. Militantët iu bien në qafë njerëzve, i shkelin duke kaluar për te objektivi i tyre; dhe, parandaj ditën e fundit askush nuk do ‘me ia dijtë’.

Të gjithë militantët- kështu,  jo vetëm ‘kriminelët’.

Ka militantë që jo vetëm nuk janë kriminelë, por viktima të krimit. Ka nga ata që janë edhe të uritur; nga ata që nuk dinë çfarë është droga dhe vjedhja , thjesht lypin ndonjë lek për cigare. Por militant ndaj shefit, ndaj kryetarit të Partisë, kundër dikujt tjetër… Këta, nën lëkurë,  bëjnë  krim, sepse kur një lider vjen në pushtet me mbështetje të verbërish, ai është verbërisht i keq. Kjo është e zeza jonë kombëtare; dhe jo vetëm jona. Sigurisht, në qeveri nuk do të vijnë filozofët- siç shkruante Aristoteli- por të paktën disa njerëz mes banditëve dhe filozofëve… Sa kohë që ligjin e bëjnë militantët- kjo nuk do të ndodhë.

… A ndodhi demokracia në Çadrën e Opozitës, 3 muaj në shesh? Jo. Jo vetëm ‘demokraci’, por aty mbiu banaliteti që të ngjall krupë kur kalon në bulevardin e madh. Aty duket se ‘ka ngordhur qeni’ dhe të gjithë biem erë. Sepse të gjithë menduam se do të kishte një opozitë dhe politikë reale. Jo, e pamundur, përderisa dikush kishte zgjedhur militantë dhe këta deformonin (pa kuptuar) kurmin e shtetit dhe të njeriut në dobi të shefit. Që aty mbetëm pa opozitë, dmth., na u rrëzua ajo çfarë kishim ndërtuar në vitin 1990; ndërtuar jo me militantë, por me studentë, intelektualë e punëtorë…

Aty në atë bulevard ishin vrarë edhe katër njerëz; ishin vrarë si militantë dhe iu dhanë shanse militantëve…

… A nuk iu ngjan fjala ‘militant’ me ‘military’. Se ç’më duken këta, si armë!, jo krejt të verbër e të pafajshëm.

Veritas.com.al/