Nga: Mishel Kociu/ Montreal, Quebec, Canada
8 Dhjetor sot!
Thueja kangës ma të bukur që di Rini!
Rini e çoroditur, e hutuar, e shushatur…
E mpirë, e topitur, e mefshtë, e rropatur…
Rini e shpërdoruar, e konsumuar,
E përdorur, e trafikuar…
Rini sipërfaqësore, ekzibicioniste, facebookse, selfieste, instagramese, snapchatëse…
Rini kafenesh, blloku, kotësish, shkuma-party e pijesh fallco pubesh;
Rini ëndërrimtare dukjesh të gënjeshtra e makinash luksoze të vjedhura;
Rini e arsimuar me diploma të paqena universitetesh të kioskëzuar;
Rini e rritur me ushqime të skaduara, mes ndotjesh kancerogjene e pluhur ndërtimesh te pambaruara;
Rini e tufëzuar në mitingje e lëvizje sociale te blera;
Rini që me zor shquan vlerat nga antivlera;
Rini e zhgënjyer, e gënjyer, e hallakatur, e shpërndarë, pa ide a ideale;
Rini dëshmitare e një shoqërie të korruptuar e halabake,
Ku të zgjedhurit, një pjesë kriminelë, në transmetime live,
Njëri-tjetrin nga robt e shtëpisë me zë të lartë shajnë;
Rini apatike, pa vrull, pa energji, pa synime, pa pasion…
Rini që të ikë nga syte këmbët kërkon,
por dhe për këtë përton;
Rini e trishtë, e zbrazët si ambalazh i flakur;
Rini e zbehte si muzg. Rini e plakur!
Sot festohet dita jote Rini!
E ti Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Na të duem fort si të duem një diell.
Zgjohu Rini, zgjohu! Dili zot kesaj bote!
Rinohu, Rini! Rinohu! Bota asht e jote…
#8dhjetor #december8 #DitaeRinise
Veritas.com.al/