Frrok Çupi/

Folku i viteve të para me makina në rrugët e atdheut që i lanë ushtritë e huaja austro- hungareze dhe italiane, e sillte imazhin e makinës tek udhëtonte dhe i binte burive “mes deleve” mes përmes  “fushave të mbjella”. Por imazhi romantik e entuziast i socializmit, nuk ka lidhje me ‘delet’ e tanishme. Delet e tanishme janë njerëz, por janë emërtuar nga shteti si ‘dele’…

E vetmja ngjashmëri mes deleve të fushave atëherë dhe ‘deleve’ sot është se liderët i shikojnë njerëzit në turma që i drejtohen rrezikut pa gajle. Makina e pushtetit që u ndërtua pas zgjedhjeve  të qershorit 2017 nuk është në gjendje që të ruajë ‘delet’; mund t’i çojë në rrezik të gjitha së bashku. Defekti i ‘makinës’ është se u ndërtua me vetëm një timon dhe me vetëm një njeri në timon. Vetë kryeministri aktual, duke zhvilluar fushatën e zgjedhjeve në emër të Partisë Socialiste, i kërkoi popullit, dmth., ‘deleve’, që t’ia japin timonin në një dorë të vetme…

Dhe kjo ndodhi.

Por po ndodh edhe që makina ka hyrë në ograjet ku shullëhen delet dhe i ka marrë mbarë.

Qeveria njëdorëshe në timon e ka të pamundur që të ruajë popullin e vet.

Ja shikoni si po vuan njeriu i turmës poshtë rrotave të ‘makinës’ së shtetit:

E para, të ruhen nga qeveria apo nga ujio dhe zjarri. Këto tre rreziqe, thuajse biblike, i kanosen gjithnjë njeriut. Por në rastin tonë ka dalë “mbi ujëra” rreziku Qeveri. Arsyet: Sepse qeveria nuk i ruan njerëzit as nga bora, as akulli, as shiu, as përmbytjet. Edhe kur bën një gjë (që e ka për detyrë), qeveria i shkon në shtëpi fshatarit të përmbytur, i derdh edhe rakinë, dhe i ngrefoset: ‘E shikon që ta shpëtova jetën… Hëëëë!, po sikur të mos isha unë!”. E çi duhet njeriut kjo pjesëz kujdesi?

Arsyeja tjetër, se qeveria e than thesarin e shtetit dhe në fund nuk ka më asnjë lek për asistencë për të varfrit në ekstrem. Atëherë del e bën kontrolle se kush mori dy lek që nuk i takojnë, ‘nuk i takojnë’ sepse i kishte tre lek për bukën thatë. Njerëzit shqyejnë njërio tjetrin kush ta marrë dy- lekëshin e varfërisë.

E treta, se ‘delet’ shtypen në momentin që kërkojnë ujë në shtrungë. Këta lihen ‘pa ujë’, sepse fondet e siguruara po prej taksave të tyre, shkojnë për zbukurime, për fasada, për zyra, për luks qeveritar, për bileta fluturimesh, për qoka ndaj klientëve të huaj e të vendit…

Por njeriu si dele sulmon edhe delet e tjera.

Sot çfarë ka ndodhur? Sot janë kryer katër grabitje të mëdha në mes të ditës. Në Fier dy persona të armatosur grabitën dhe pastaj qëlluan me armë dy pronarët e një pikë këmbimi valutor, njëri prej tyre është në rrezik për jetën.

Sot është grabitur një filial banke në rrugën dytësore Tiranë- Vorë, u grabit edhe një kampist në Delvinë, në shtëpinë e tij…

Gjatë natës mund të grabiten të tjerë e të tjerë… Sepse sot është stina e grabitjes.

Nesër mund të jetë stina e përdhunimeve…

Pasnesër stina e vrasjeve.

Një ditë më vonë- stina e thyerjes së xhamave të shtëpive…

Njerëzit që qeveria i ka quajtur ‘dele’ marrin fytyrën e klimës së ditës…

Por qeveria e ka e vetme në dorë timonin. E vetme në timon, edhe sikur të dëshironte, nuk shpëton dot asnjë pulë, e jomë kaq shumë dele.

VERITAS.COM.AL/