Aksidenti në Tiranë, ku një autobus goditi dy automjete të parkuara dhe më pas u përmbys, mund të jetë shkaktuar pasi shoferi humbi kontrollin për shkak të mos funksionimit të sistemit të frenimit.
Është ky detaji më i fundit i raportuar nga gazetari i ABC News, Ermal Vija në “Rrugën e Elbasanit”, në afërsi të Fakultetit Ekonomik, aty ku ndodhi edhe aksidenti, teksa theksoi se ende nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar.
Për pasojë, 7 persona janë plagosur dhe fatmirësisht, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Bëhet fjalë për një autobus të një linjës së Lundrës, ku drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e mjetit. Fillimisht është përplasur me dy mjete të parkuara të cilat ndodheshin pranë rrugës. Nga përplasja, ka devijuar dhe është përmbysur. Prej më shumë se 1 ore ishte bllokuar dhe ky aks rrugor, por falë ndërhyjes së efektivëve të policisë, një segment i kësaj rruge është duke funksionuar. Drejtuesi i mjetit e ka humbur kontrollin e mjetit. Ende nuk ka një konkluzion përfundimtar, por nga dyshimet paraprake, mund të mos ketë funksionuar si duhet sistemi i frenimit. Shtatë persona kanë mbetur të plagosur nga aksidenti”, raportoi gazetari Ermal Vija