Nga Laert Skiro/Veritas.com.al/

Në qoftë se presidenti Obama ka menduar se mund ta zhdepte në kurriz Izraelin dhe t’i lante duart me të, ka menduar shumë gabim. Tani, pulat që lëshoi për thërrime kur bëri komplotin në Këshillin e Sigurimit kundër Izraelit me anë të ambasadores së SHBA që abstenoi, po mblidhen në kotec.

Një nga liderët e Kongresit, që për mediat amerikane desh të mos jepte emrin, Kongresi po lëviz në drejtimin që do të ndëshkojë si Kombet e Bashkuara edhe Palestinën për votën kundër Izraelit. Këtu përfshihet bllokimi i fondeve si dhe largimi i diplomatëve të Palestinë nga tokat e Amerikës.

Një masë tjetër mund të jetë reduktimi i lidhjeve diplomatike me vendet që votuan për masat kundër Izraelit në Këshillin e Sigurimit.

Liderët e Kongresit gjithashtu thanë se besojnë se administrata e Obamës po planifikon që të bëjë lëvizje shtesë kundër Izraelit para se të lërë pushtetin në muajin Janar.

Një nga kongresmenët lider në Kongres që e bëri të qartë tentativën e tij për masa kundër UN dhe Palestinës, ishte Senatori Ted Cruz i Texasit. Të Mërkurën, në faqen e tij të Facebook, ai e quajti veprimin e Barack Obamës një “tradhti ndaj Izraelit”.

“Presidenti Obama, Sekretari Kerry, Ambasador Power, dhe kolegët e tjerë duhet të mos harrojnë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara do të rimblidhet më datë 3 Janar, dhe sipas Kushtetutës nuk do të lejojmë që fondet e ardhur nga taksapaguesit të shkojnë për qëllimet kundër Izraelit”, tha Senatori Cruz.

“Sesioni i 115 të i Kongresit duhet të ndalojë sulmin vicioz të administratës së tanishme kundër aleatit tonë të madh Izrael; dhe të përcaktojë prioritetet kryesore në administratën që po vjen”, shtoi Cruz.

Në një deklaratë të mëhershme, të shpërndarë nga Cruz- para votimit të të Premtes kundër Izraelit, ai kishte thënë se Shtetet e Bashkuara “duhet të bëjnë reduktim ose edhe eliminim të fondeve për Kombet e Bashkuara”; dhe gjithashtu, të rikonsiderojnë seriozisht fondet për vendet që kanë votuar kundër Izraelit.

“Për ju që vutë emrin në këtë akt të neveritshëm kundër Izraelit – tha Cruz- ju e bëtë këtë me dije të plotë mbi pasojat që do të ketë veprimi juaj!”.

“Pula” e Shteteve të Bashkuara për Kombet e Bashkuara është shumë e majme. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Fox News, gjithë shpenzimet amerikane për UN kapin shifrën 8 miliard dollarë; por vetëm për administratën e UN këto janë 3 miliardë në vit. Kjo shifër është më e madhe se fondet e mbledhura nga 185 anëtarët e OKB së bashku.

Dhe që fondet të shkojnë në rrugë të dobishme, jo si deri tani- kjo do të jetë interesante. Por që të largohen diplomatët palestinez nga toka e Amerikës,- kjo është “thelë mbi bisht”, që do të bëjë të “lumtur shumicën e njerëzve”- shkruan STREAM USA.

/Veritas.com.al/