Një avion pasagjerësh i kompanisë American Airlines me 64 persona në bord dhe një helikopter Black Hawk i Forcave të Armatosura amerikane u rrëzuan në lumin Potomak pas një përplasjeje në ajër pranë aeroportit kombëtar të Uashingtonit “Reagan” të mërkurën në mbrëmje, njoftuan zyrtarët.

Një burim i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ka shumë viktima, por bilanci është i paqartë. Nuk ka ende ndonjë të dhënë mbi shkaqet e aksidentit. Të gjitha fluturimet nga aeroporti “Regan” janë anuluar, ndërsa helikopterë nga agjencitë e zbatimit të ligjit përgjatë gjithë rajonit shkuan në vendngjarje në kërkim të të mbijetuarve.

Gazeta “Washington Post”, duke cituar burime, raportoi se nga uji janë nxjerrë disa trupa. Sipas gazetës, deri tani nuk ka patur të mbijetuar.

Senatori nga Teksasi, Ted Cruz tha në një postim në rrjetet sociale “se e dimë që ka viktima”, por nuk dha më shumë hollësi.

Miq, familjarë dhe të afërm të pasagjerëve u mblodhën në aeroportin kombëtar të Uashingtonit “Reagan” duke kërkuar më shumë informacion.

Një grua i tha një zyrtari të aeroportit, “Nuk e di nëse hipi apo jo në avion”, duke iu referuar dukshëm një pasagjereje në avionin e rrëzuar. Më pas gruaja shpërtheu në lot.

Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara thanë në një deklaratë se mund të “konfirmonin se në incidentin e natës së sotme ishte përfshirë një helikopter i ushtrisë -UH-60- i bazës Fort Belvoir, Virxhinia. Ne po bashkëpunojmë me zyrtarët lokalë dhe do të japim informacion shtesë sapo të jetë e mundur”.

Nuk ka pasur një aksident fatal me avion pasagjerësh në SHBA që nga shkurti i vitit 2009, por një sërë incidentesh në vitet e fundit kanë ngritur shqetësime për sigurinë.

Pamje të regjistruara nga kamera e vendosur në qendrën “Kennedy” në Uashington tregonin një shpërthim në ajër përgjatë lumit Potomak rreth orës 21:47 të mbrëmjes me orën lokale, dhe avionin në flakë që bie me shpejtësi.

Administrata Federale e Aviacionit të Shteteve të Bashkuara (FAA) tha të mërkurën mbrëma se avioni i PSA Airlines RJ700 u përplas në ajër me një helikopter të ushtrisë amerikane (Black Hawk) Sikorsky H-60, ndërsa po afrohej në aeroportin kombëtar të Uashingtonit Reagan.

Avioni ishte nisur nga qyteti Wichita, i Kensasit, sipas FAA-së.

Policia tha se agjenci të shumta janë përfshirë në një operacion kërkim- shpëtimi në lumin Potomak.

Aeroporti njoftoi të mërkurën se ishin ndëprerë të gjitha fluturimet dhe se personeli i urgjencës iu përgjigj një aksidenti ajror.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha se ishte informuar mbi atë që e cilësoi “një aksident të tmerrshëm” dhe se po e mbikëqyrte situatën.

“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, shtoi ai. “Faleminderit të gjithë ekipeve të emergjenvave për punën e jashtëzakonshme që po bëhet. Po e ndjek situatën dhe do të jap hollësi sapo të jetë e mundur”.

Në një postim në mediat sociale, kompania “American Airlines” tha se ishte në dijeni të njoftimeve se një prej avionëve të saj ishte përfshirë në incident dhe se do të jepte më shumë hollësi sapo të ishte e mundur.

Aeroporti do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 5 të pasdites, me orën lokale, të premten.

***

Përplasja në ajër e helikopterit të ushtrisë amerikane dhe avionit të pasagjerëve të American Airlines, duhej të ishte parandaluar. Kështu u shpreh presidenti Donald Trump në një postim të enjten herët në mëngjes, duke ngritur pikëpyetje mbi përplasjen fatale.

“Avioni ishte në një linjë të përsosur dhe rutinë të afrimit me aeroportin. Helikopteri po shkonte në drejtim të avionit për një periudhë të gjatë kohore. Është një natë e kthjellët, dritat në avion po flakëronin, pse helikopteri nuk u ngjit, as u ul, as u kthye. Pse kulla e kontrollit nuk i tha helikopterit se çfarë të bënte në vend që të pyeste nëse e panë avionin”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, raporton A2 CNN.

“Kjo është një situatë e keqe që duhet të ishte parandaluar. JO MIRË!!!” vazhdoi presidenti.

Ende nuk dihen shkaqet e tragjedisë. Mes hipotezave, një gabim njerëzor apo një problem teknik, FBIdo të ndihmojë në hetimin e aksidentit. Në një deklaratë nga zyra e saj në Uashington FBI ka thënë se po ndihmojnë në përgjigjen ndaj tragjedisë.

“Skuadra Kombëtare e Reagimit të Kapitalit të Zyrës së FBI-së në Uashington po i përgjigjet një incidenti të aviacionit në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit Ronald Reagan në mbështetje të zbatimit të ligjit dhe partnerëve tanë të sigurisë publike. Ju lutemi drejtojini pyetjet në lidhje me këtë incident Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit.”

Avioni i American Airlines u përplas në ajër me një helikopter në Uashington DC, ku të dy u rrëzuan në lumin Potomac. Në të ishin 60 pasagjerë, katër anëtarë të ekuipazhit, ndërsa tre ushtarë të ushtrisë amerikane ishin në bordin e helikopterit ushtarak.

Rreth 300 punonjës emergjence janë në “aksion shpëtimi”, me zhytës policie dhe varka që kërkojnë në ujë për të mbijetuar në kushte me erë dhe errësirë.

Përplasja ndodhi në afrimin e pistës 33 në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit Reagan rreth orës 21:00 me orën lokale, thotë Administrata Federale e Aviacionit në një deklaratë për CBS News.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *