Bilanci tragjik aksidenteve rrugore, më i fundit ai në aksin Fier- Vlore, duket se nuk ka shërbyer si një mësim për shoferët për qenë më të kujdesshëm në timon, pasi “kanë në dorë” jetën e tyre dhe të tjerëve. Vetëm në 12 orët e fundit janë pezulluar 66 patenta dhe janë vendosur 2668 gjoba. Ajo që vihet re dhe është alarmante është se pjesa më e madhe e gjobave të vendosura sot është për parakalime të gabuara dhe shpejtësi tej normave të lejuara. Shqetësuese është edhe mbajtja e celularit në timon si edhe mos vendosja e rripit të sigurisë.
“473 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 397 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 644 masa për shpejtësi mbi normat e lejura, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 194 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 778 masa për parakalime të gabuara dhe 182 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve” , njofton Policia.
Në fund të njoftimin, është edhe një apel për drejtuesit e mjeteve me shpresën se ai nuk do të shkojë në vesh të shurdhët, teksa ka kujtuar se me ndryshimet e Kodit Rrrugor që kanë hyrë dje në fuqi, janë ashpërsuar ndëshkimet për shoferët e papërgjegjshëm.
VERITAS.COM.AL