Një aksident i rëndë ka ndodhur në Rubik mbrëmjen e sotme. Në këtë aksident kanë mbetur viktima 4 persona dhe një i plagosur.

Mësohet se viktimat janë anëtarë të së njëjtës familje që po udhëtonin nga Kosova. Paraprakisht raportohet se kanë ndërruar jetë dy prindërit dhe dy fëmijët e së njëjtës familje, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë një fëmijë tjetër i mitur.

Siç shihet në pamjet e siguruara nga Top Channel në këtë aksident janë përfshirë një makinë tip “Citroën” ku udhëtonin 5 personat e së njëjtës familje dhe një kamion.

Sipas të dhënave paraprake dyshohet se makinat janë përplasur kokë më kokë. Në këtë pjesë të Rrugës së Kombit mungon ndriçimi dhe dyshohet se ka ndikuar në shkaqet e aksidentit, si dhe lagështia në rrugë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikësit.

Identifikohen viktimt:

Identifikohen viktimat e aksidentit tragjik të ndodhur këtë mbrëmje në Rrugën e Kombit, ku humbën jetën katër anëtarë të familjes Avdiaj nga Kosova, ndërsa u plagos rëndë fëmija i mitur i tyre.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se kanë humbur jetën në vend çifti i bashkëshortëve Blerim Avdiaj, 51 vjeç, dhe Anjeza Avdiaj, 34 vjeçe. Ndërkohë, viktima kanë mbetur edhe dy fëmijët e mitur K. Koçi, 11 vjeç, dhe M. Avdiaj, 6 vjeçe.

E mbijetuara e vetme e familjes nga aksidenti tragjik është 3-vjeçarja V. Avdiaj, e cila është transportuar te Spitali i Traumës. Familja udhëtonte në një mjet Citroen, i cili u përplas me një kamion, që drejtohej nga shtetasi J. I.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti  tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.

Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe  2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes