Kapja e 613 kilogramëve kokainë, ka çuar në një përplasje deklaratash mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Xhafaj, të cilët japin versione të ndryshme për operacionin, sipas analizës së ‘Hashtag.al’.

Pas kapjes së 613 kilogramëve kokainë, ministri i Brendshëm, Xhafaj, publikoi një postim në profilin e tij zyrtar në ‘Tëitter’ ku shkruante se superaksioni ishte realizuar në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja.

‘Një superaksion i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese vendase dhe të huaja. Goditje e fortë trafikut ndërkombëtar të drogës! Hetimi vazhdon! Forca e Ligjit, forca e shtetit po vepron. Pas pak detajet nga policia e shtetit në një konferencë për shtyp.’ –shkruan Xhafaj në Tëitter.

Por disa orë më vonë, Kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në Facebook, deklaronte se operacioni për kapjen e sasisë rekord të kokainë, ishte realizuar krejtësisht nga organet ligjzbatuese shqiptare, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane.

‘Edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore.’ – shkruan Rama në Facebook.

Pas kapjes së kokainës, kreu i PD-së, Basha, lëshonte akuza të ashpra ndaj kryeministri Rama dhe ministrit Xhafaj, duke falenderuar njëkohësisht partnerët ndërkombëtarë për drejtimin e operacionit.

‘Me këtë rast dua ti shpreh mirënjohjen partnerëve të huaj që drejtuan operacionin me sukses dhe e vunë para faktit të kryer narkoshtetin dhe levat e tij në Shqipëri. Rrokada nga klani Tahiri-Habilaj i kanabisit tek klanet e heroinës dhe kokainës të Xhafajve me kompani, kanë si pikë të përbashkët mbrojtëse, kryeministrin Edi Rama. 613 kilogramët e kokainës, të kapura për shkak të partnerëve tanë, janë tregues se Shqipërinë sot e drejton banda e kokainës, dhe se largimi i saj dhe krijimi i një qeverie anti-mafia është emergjencë kombëtare.’

Deklaratat e Bashës provokuan reagimin e Policisë së Shtetit, që në një njoftim për mediat e cilësonin sulmin e kryedemokratit si të pakuptimtë duke sqaruar se operacioni për kapjen e kokainës ishte kryer krejtësisht nga organet ligjzbatuese shqiptare.

‘Operacioni është kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor, që në bazë të analizës së riskut ka sinjalizuar Policinë e Shtetit, për një dyshim të arsyeshëm lidhur me mjetin që transportonte drogën e ardhur nga Kolumbia, përmes Italisë e Maltës. Ky operacion është një sukses i padiskutueshëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare, që është finalizuar falë bashkëpunimit intensiv me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në këtë rast, i gjithë operacioni nga fillimi në fund është kryer pa asnjë përfshirje të partnerëve tanë ndërkombëtarë.’ – thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

 

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se Edi Rama ka frikë të nxjerrë ndërkombëtarët, sepse e di mirë që fijet dhe lidhjet e kokave të trafikut nuk janë as punonjësit e portit dhe as ata të kompanisë modeste.

‘Kryeministri ka frikë të thotë se ky aksion është kryer me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të atyre që vetëm dy ditë më parë paralajmëruan lidhjet e rrezikshme të politikës me trafikun e lëndëve narkotike.

Edi Rama tashmë është i tmerruar nga hetimet e mëtejshme të kësaj sasie kokaine të paparë ndonjëherë në Shqipëri, sepse e di mirë që fijet dhe lidhjet e kokave të trafikut nuk janë as punonjësit e portit dhe as ata të kompanisë modeste.’, thekson Kryemadhi.

Vetëm apo me ndërkombëtarët?! Iu vunë pas kamionit me dëshirën e tyre apo me detyrimin e ndërkombëtarëve?! A po fsheh gjë Rama apo Xhafaj nuk ka ditur ta shesë mirë në sytë e publikut këtë operacion?!

Këto janë disa nga pyetjet që me siguri do të marrin përgjigje gjatë ditëve në vijim. Ajo që është e dukshme deri më tani është kontradikta mes Ramës dhe Xhafajt./Hashtag.al/

Veritas.com.al/