Nga: Agim Xhafka/

Nuriu bridhte çdo mëngjes me një karrocë pazari në dorë. E tërhiqte nga shtëpia tek biblioteka. Pastaj tek berberi, shtyhej deri te stacioni i autobusit dhe ndalej nja dy orë te lulishtja ku moshatarët e tij luanin domino.

Atje nuk bënte ndonjë lojë, veç muhabet. Midis të tjerave u thoshte se sapo kishte mbaruar pazarin. Kishte blerë fruta, zarzavate, mish dhe ca peshk. Shyqyr që e ndihmonin dy djemtë që kishte në Gjermani se me pension as dritat nuk do paguante.

Kështu bënte çdo ditë. Deri sa të hënën që shkoi ra mes rrugës, afër bankës tregtare. U këput dhe shtrëngoi fort çantën. Pastaj e lëshoi dhe…iku. Dha frymën e fundit. Vrapuan ca djem aty pranë. E morën hopa, me veturën e tyre e çuan në spital. Por kot, kishte mbaruar.

Në rrugë mbeti çanta, e mbushur plot. E mori Gaqo, ‘do ia çoj në shtëpi’, tha. Por sa e ngriti pa qe pendë e lehtë. U çudit se çanta e tregonte barkun e saj plot. E hapi dhe…Brenda kishte topa gazetash. Si ato që mbajnë çantat e reja që vajzat blejnë në pazar.

Nuriu një jetë kishte tërhequr një karrocë pazari mbushur me letra. Që i blinte me paratë që gjoja i dërgonin çunat e tij. Që…eh, Nuri, Nuri…

Veritas.com.al/