Nga Frrok Çupi/

Ai sapo ka caktuar datën 4 Dhjetor si datën e një Referendumi në Itali. Sa firmosi, pas pak shfaqi pendesë. Matteo Renzi, kryeministër i Italisë, 41 vjeç, për të cilin thonë se “është shumë i ri për të mbajtur barrë maxhoritare shteti”, tani ndodhet në Portën e Pendesës: “Po të mos e firmosja referendumin do të ishte keq; tani që e firmosa është keq”! Në Portën e Pendesës, sipas shpjegimit të Hadithit profetik, Allahu i Lartësuar qesh me dy perona që luftojnë kundër njëri tjetrit!

Matteo Renzi tani ka brenda vetes dy persona, të dy kundër njëri tjetrit. Njëri është David Cameron, ish kryeministër i Britanisë së Madhe; ndërsa tjetri është Altiero Spinelli. Kur i shfaqet fantazma e britanikut Cameron, Renzi pendohet për firmën mbi Referendumin. David Cameron, një politikan dhe kryeministër nga më të suksesshmit në epokën e re të politikës, ra në momentin që firmosi Referendumin. Ai e ndjente veten më të fuqishëm se Renzzi, sigurisht, dhe firmosi me guxim që t’i jepte të drejtë popullit nëse “do të qëndrojë apo jo” në Bashkimin Europian. Populli votoi “Jo!” dhe David shkoi në shtëpi; në vend të tij erdhi një “Breksit-se” e moderuar, por Breksit-se, Mayer.

Renzzi e ndjen vetes shumë të fuqishëm, jo si politikan të votuar fort në Itali (siç ishte Cameron në Angli), por si produkt të fatit që u ndodh në Treshen (trio) më të domosdoshme të kontinentit Europian, në një moment kur as punët brenda vendit nuk po i shkonin mirë. Me politesë apo me brutalitet (Renzin e quajnë brutal në Bruksel), kryeministri italian u radhit në mes gjermanes Merkel dhe francezit Holande. Edhe pse “trumcak” si hije, Renzzi mori pozat e një burri të madh, tashmë jo si “baba” i Europës, por të paktën si një “kumbarë” pas Brexit.

Kjo e bëri që të ndjehet i madh dhe e nxiti të rrezikojë. Tani që e ka firmosur Referendumin, Renzzi e shikon veten të humbur, njësoj siç ndodhi me kryeministrin e Britanisë pas Brexit-it. Të gjitha gjasat janë që në këtë referendum Renzzi të humbë. Atëherë ky humb postin e kryeministrit të Italisë dhe Trio (Merkel, Holande, Renzi), humb Renzzin… Në disa pëshpëritje të këshilltarëve të Renzit po thuhet se “edhe sikur të humbim në referendum, ti mbaje postin e kryeministrit”. Mirëpo kjo do të ishte humbje më e madhe, “as i gjallë e as i kallur”. Trio dhe bashkë me të, BE, do të bëhej qesharake; ndërkohë Italia nuk do të mund të bënte më reforma. E çfarë do t’i duhej Europës një Itali e tillë? Mbrapa derës po pret Beppe Grillo, komediani që e ka futur Romën (kryeqytet) seriozisht në radhën Brexit-e të Britanisë.

Ky do të jetë fati “cameronian” i Renzzit pas humbjes në Referendum.

Ndërsa personi i dytë që jeton brenda Renzi-t, teksa akoma nuk e ka kaluar Portën e Pendesës, është Altiero Spinelli. Edhe sikur brenda italianit të ri të humbë “Cameroni”; aty ngjitur, në ego, rron një italian i madh, që nuk humb kurrë më. Ky është Spinelli, në europianist i shquar, esseisst, shkrimtar e mendimtar, luftëtar i rezistencës në Luftën e Dytë. Deri në këto fjalë, Renzzi nuk ka ndonjë paralele me Spinellin e madh, përveç dëshirës që nuk mund të kapet më; dëshirë e shprehur kështu: “Ah, si nuk jetova atëherë, si nuk u burgosa në Ventotene!”.  Por Renzzi bën show; sa më shumë teatër, që të duket afërsisht si një prej “baballarëve të BE”, Spinelli. Mburret pse është majtist, sepse edhe Spinelli ishte majtist dhe tenton ta ringjallë BE-në sipas modelit të Traktatit (Spinellian) të Manstrihtit. Renzi, bëri ç’bëri dhe e mori Trio-n europiane me helikopter për një mbledhje në ishullin Ventotene, si për të thënë se “këtu ishte i burgosur Spinelli, këtu jam unë…”. Trio që u vërtit nëpër qytete Europiane (Ventotene dhe Bratislavë) si një grua shtatzënë që kërkonte maternitet, nuk mundi të lindë gjë të re. Bashkimi Europian po dobësohet akoma më shumë me Trio-n që nuk po gjen dot Rinovim.

Në fakt, Trio po plaket duke kërkuar “rinim”. (Keni parë se si njerëz dhe politika të dështuara tentojnë të kapen pas fjalëve “Rilindje”, pas “rinim”, pas “ringritje”? Kot). Dy “heronjtë”e tjerë të Trio-s, Merkel dhe Holande, duket se janë në momente rënieje pa kthim. Merkel, në zgjedhjet e Berlinit fitoi veç 17 përqind të votave, ndërsa Partia më e re kundër Emigrantëve fitoi 14 për qind. Ky është edhe trendi i zgjedhjeve që zhvillohen në Gjermani vitin e ardhshëm. Edhe Holande nuk gëzon më shumë se 30 për qind të mbështetjes popullore në Francë.

Atëherë, ku është Trio?

Renzzi tenton të fitojë Referendumin; dhe të paktën të qëndrojë në Trio; edhe pse i pakënaqur. Në Bratislavë, Merkel dhe Holande dolën “due” në podium dhe ky u zemërua; erdhi në Itali dhe i tha shtypit se “një ditë do të flas”. Me sa duket edhe Referendumin e firmosi me qëllim që të imponohet si “i madh” brenda Trio-s. Referendumi në Itali është “për reformë konstitucionale”. Qëllimi është që “të presë kokat” e të gjithë të mëdhenjve dhe të duket veç një kokë në Itali. Kërkesat e Referendumit janë: Senati (Dhoma e Lartë e Parlamentit) nuk do të ketë më rol të rëndësishëm, si psh., miratimi i buxhetit; Senati do të ketë pak pushtet; Senati veç  mund të propozojë ligje, që pastaj i kalojnë Parlamentit; Senati nuk do të ketë më 315, por veç 100 anëtarë…”.  Gjithë historia e Renzzit është të presë kokat dhe të vërë kokën e tij.

A do të ndodhë? Italianët e mësuar me koka të larta ligji, arti, mendimi e shteti, zor se do të votojnë “pro” në referendum. Kjo do të ishte mirë, sepse bie veç Renzi. Sikur të votohet “pro”, atëherë Renzzi humb me gjithë stabilitetin dhe Italinë. Prapë në Trio nuk do të jenë tre.

Prototipi i Renzzit e të tjerëve, sidomos majtistë, po e shkundin kontinentin e vjetër duke e ndjellë dinakërisht në rrugën e keqe: “Më shumë politikë, më pak Demokraci”.

/Veritas.com.al/