Nga: Paolo Mauri
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi, në një tweetim, emrin e pasardhësit të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare: Robert O’Brien, një avokat i suksesshëm në Los Angeles i cili aktualisht mbulon postin e të dërguarit special për zyrën e Çështjeve të Pengjeve të Shtëpisë së Bardhë.

O’Brien ishte në listën e “kandidatëve të kualifikuar” së bashku me emra të tjerë më të njohur dhe më të ndritshëm të ambientit të Trump: në mesin e tyre ambasadori në Gjermani Richard Grenell, Keith Kellogg– këshilltar i zëvendës presidentit Pence, Jack Keane- gjeneral i ushtrisë në pension me katër yje që ishte zëvendëskryetar i Shtabit të Ushtrisë Amerikane dhe Brian Hook i cili nën administrimin e G.W.Bush ishte ndihmës sekretari i shtetit për organizatat ndërkombëtare.

Kush është Robert O’Brien

Emërimi i Robert O’Brien vjen një javë pas shpalljes së “silurimit” të John Bolton, një skifter që gjithmonë ka kundërshtuar politikën e Trump, sipas të cilit është shumë “e dobët” në raport me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Bolton ishte këshilltari i tretë i siluruar nga Trump në një hark të shkurtër kohe dhe i shtohet një liste të gjatë emrash që presidenti amerikan i ka “pastruar” që kur arriti në Shtëpinë e Bardhë: spastrime të përcaktuara nga dëshira për të eliminuar atë deep state të kundërt ndaj politikes se ekzekutivit.

O’Brien, në cilësinë e te dërguarit special te presidentit për zyrën e Çështjeve të Pengjeve të Departamentit të Shtetit, ka bashkëpunuar ngushtë me familjet e pengjeve amerikanë dhe ka dhënë këshilla për negociatat e bëra për lirimin e tyre. Ai më parë ka dhënë kontribut ne menaxhimin e reformës në drejtësi në Afganistan gjatë administratës së Bushit dhe Obamës.

Nga viti 2008 deri në vitin 2011, O’Brien ka qenë delegat presidencial pranë komisionit qeveritar që merret me çështjet që lidhen me tregtinë e paligjshme të antikiteteve dhe objekteve të tjera kulturore. Në 2005, Presidenti George W. Bush e emëroi O’Brien si përfaqësues të SHBA në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ku ai u gjend duke punuar pikerisht me Bolton.

Këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare ka qene edhe këshilltar gjatë fushatës presidenciale për Partinë Republikane për ish guvernatorin e Wisconsin Scott Walker, per ish guvernatorin e Masaçusets Mitt Romney dhe per senatorin e Teksasit Ted Cruz.

Siç është përmendur tashmë, O’Brien është një avokat i diplomuar në Universitetin e Kalifornisë të Berkeley dhe ka bashkë themeluar një studio ligjore në Los Angeles e specializuar në çështje të arbitrazhit ndërkombëtar.

Një emërim “surprizë”

Megjithëse emri O’Brien ishte një nga zëvendësuesit e mundshëm të Boltonit, emërimi i tij na befason dhe është i vështirë për tu interpretuar.

Presidenti Trump mund të ketë zgjedhur një figurë të tille, me një të kaluar të respektueshme diplomatike, por jo shumë të spikatur, në mënyrë që të ketë dikë me besim por jo tepër të spikatur në gjendje të zgjidhë mosmarrëveshjet ndërkombëtare duke u përshtatur në mënyrë të përkryer me linjën e tij pak të prirur për konfrontime direkt, por duke kërkuar gjithnjë për  t’i mbajtur të hapura të gjitha kanalet e komunikimit me kundërshtarë te ndryshëm të Shteteve të Bashkuara.

Emërimi i O’Brien vjen disa orë pas përshkallëzimit të krizës iraniane të shkaktuar nga sulmi i fundit i kryer nga militarët Houthi në rafinerinë më të madhe në Arabinë Saudite. Menaxhimi i këtij përkeqësimi në marrëdhëniet me Iranin do të jetë karta lakmuese e vizionit politik të këshilltarit të ri të sigurisë kombëtare.

Veritas.com.al/