Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka reaguar me tone të forta pas zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar një përshkallëzim të mundshëm të situatës, raporton A2CNN.
Në një postim të gjatë në rrjetin social Truth Social, Trump komentoi sulmin izraelit ndaj fushës së gazit South Pars, që ndodhi të mërkurën në mbrëmje. Si kundërpërgjigje, Irani goditi zonën industriale “Ras Laffan” në Katar, ku ndodhet një nga impiantet më të mëdha në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Trump deklaroi se SHBA “nuk kishte asnjë dijeni” për sulmin izraelit dhe theksoi se Katari nuk ishte i përfshirë në asnjë mënyrë. Sipas tij, reagimi i Iranit ndaj Katarit ishte “i pajustifikuar dhe i padrejtë”.
Ai paralajmëroi se sulme të tjera ndaj “South Pars” nuk do të ndodhin, përveç nëse Irani vendos të sulmojë sërish një vend tjetër “të pafajshëm”.
Në një paralajmërim të fortë, Trump deklaroi se nëse Irani godet përsëri Katarin, SHBA do të “shkatërrojë masivisht të gjithë fushën e gazit South Pars me një fuqi që Irani nuk e ka parë kurrë më parë”.
Megjithatë, ai shtoi se nuk dëshiron të autorizojë një nivel të tillë dhune dhe shkatërrimi për shkak të pasojave afatgjata, por theksoi se nuk do të hezitojë të veprojë nëse objektet LNG të Katarit sulmohen sërish.
Komente