Nga: Brendan Smialowski /AFP

Presidenti amerikan Donald Trump propozoi të hënën “një rritje  historike” të shpenzimeve ushtarake në buxhetin e ardhshëm federal që administrata e tij e ka përcaktuar në linja të përgjithshme.

Duke përmendur një buxhet “të sigurisë kombëtare”, presidenti republikan pohoi, gjatë një takimi me  guvernatorë në Shtëpinë e Bardhë, se do ta respektonte premtimin e tij “për të mbrojtur Amerikanët”.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës, ai do të propozojë një rritje prej 54 miliard dollarësh për Mbrojtjen, ose një rritje prej rreth 9 % nga njëri vit në tjetrin, që do të kompensohet nga një rënie ekuivalente e shpenzimeve jo-ushtarake.

“Shumica e agjencive federale për pasojë do të kenë reduktim të buxhetit të tyre”, ka sqaruar zyrtari, i pyetur për informacionet e shpërndara nga media që përmendin veçanërisht një rënie për diplomacinë dhe agjencinë e mbrojtjes së mjedisit.

Ai njoftoi edhe një “reduktim të ndjeshëm” të ndihmës ndërkombëtare.

Buxheti “do të përmbajë një rritje historike në shpenzimet e Mbrojtjes” me synim “rindërtimin” e ushtrisë, ka shtuar Donald Trump, që e kish bërë sigurinë dhe luftën kundër grupit Shteti islamik një nga akset e mëdha të fushatës së tij zgjedhore.

“Do të mësoni më shumë nesër (të martën) në mbrëmje”, shtoi ai.

“Do të jetë një ngjarje e madhe, një mesazh për botën në këto kohëra të rrezikshme, për forcën dhe vendosmërinë e Amerikës”, ka përsëritur ai.

Në fillim të shkurtit, krerë të ushtrisë amerikane kishin përshkruar përpara Kongresit një ushtri amerikane të dobësuar ndër vite nga burimet buxhetore të pamjaftueshme dhe nga mbi dy dekada konflikte. Nëse ia kanë dalë të bindin tashmë Donald Trumpin, është gjithsesi Kongresi ai që ka në dorë kordonin e qeses.

Duke përfituar nga tërheqja e trupave amerikane nga Iraku dhe nga Afganistani, paraardhësi i tij demokrat, Barack Obama, i kishte reduktuar shpenzimet ushtarake.

Në 3,3 % të PBB, ose rreth 600 miliard dollarë, ato mbeten gjithsesi më të lartat në botë.

/Veritas.com.al/