Mediat australiane shkruajnë se ka shqetësim në rritje në lidhje me fatin e një australiani që është zhdukur më shumë se një muaj më parë duke bërë ecje në mal në Shqipëri. Cameron Twiss, 28 vjeç, u pa për herë të fundit më 13 Tetor duke ecur në shtegun Valbonë-Theth.

Autoritetet kanë gjetur deri më tani pasaportën dhe veshje të tij në një hostel në Shkodër, pasi u raportua i zhdukur. Pronari i hostelit, Arlind Shkëmbi ka folur për mediat australiane ku ka thënë se shtegu është shumë i lehtë për t’u bërë.

Zona është mbushur me njerëz nga vende të tjera. Ka kabina ku shërbejnë kafe nëse ngec natën aty. Të japin batanije ose ndonjë gjë për t’u ngrohur”, tha Shkëmbi.

Ai mendon se Twiss mund të ketë rrëshqitur në një terren të vështirë.

“Shtegu nga Valbona deri në Theth, në Alpet shqiptare, është rreth 17 kilometra dhe duhen nga 6 deri në 8 orë për t’u kryer”, shkruan news.com.au.

Atje shkojnë me mijëra turistë çdo vit. Për të gjetur 28-vjeçarin është angazhuar Shërbimi i Shpëtimit Malor në Shqipëri dhe Kosovë.

“Sipas informacioneve që kemi, plani i Cameron ishte të ecte nga Valbona në Theth dhe të kthehej në Shkodër, ku po qëndronte në hostel. Dokumentet e udhëtimit dhe të tjera sende të tij janë gjetur atje”, njoftuan nga shërbimi më 29 Tetor.

Ata që kanë ngritur alarmin kanë qenë familjarët e të riut. Më 2 Nëntor nga shërbimi thanë se kërkuan të gjithë shtegun bashkë me policinë, por kanë pezulluar operacionin.

“I bëjmë thirrje çdokujt që mund të ketë informacione të na kontaktojë ne ose autoritetet përkatëse”, njoftuan nga Shërbimi i Shpëtimit Malor.

Twiss jetonte në Adelaide. Drejt Shqipërisë, janë nisur edhe disa familjarë të tij për ta kërkuar.