Nga: L. Skiro/
Që në ditët kur Turqia vendosi, me leje të qeverisë shqiptare, që të ndërtojë hidrocentral në lumin Fan i Madh në Mirditë, shumë kush e kuptoi si një hile për hakmarrjen ndaj historisë së krahinës katolike që nuk iu nënshtrua kurrë Portës së Lartë. Megjithatë, qytetarët në kohë moderne nuk kanë më mundësi që të ruajnë historinë e tyre; veçanërisht në këtë periudhë të sundimit të qeverive liberale majtiste që nuk kanë si program ruajtjen e kombit, as nacionalizmin, as konservatorizmin…
Edhe pse në Mirditë u tha shpesh se ‘turqit mund të bëjnë HEC diku tjetër’, por jo në krahinën historikisht rebele ndaj Turqinisë, përsëri Turqit këmbëngulën për krahinën rebele që nuk e kishin shkelur kurrë.
Para disa ditësh, një grup i madh burrash të ardhur në Qafë Mollë ku ndodhet HEC-i turk dhe ku ngrihej një flamur i madh i Turqisë, vendosën të shkulin bazamentin flamurit si dhe të heqin flamurin që nuk u pranua këtu që në fillim të shekullit 15 e deri në ditët tona. Mirditorët e kanë konsideruar ‘fyerje kombetare’ dhe ‘fetare’ ngritjen e flamurit turk në krahinë.
Por shteti shqiptar mbajti anën e flamurit të Turqisë, jo anën e qytetarëve të vet katolikë dhe rebelë ndaj pushtimit turk. Shqipëria, jo si në periudhën historike të Otomanisë që të gjithë luftonin për të shporrur simbolet e pushtuesit, kësaj here është vënë në gjueti të 65 burrave që i ka identifikuar se ‘kanë dhunuar simbolin’ e Turqisë.
Duket një shenjë servilizmi i Policisë shqiptare ndaj sulltanit të ri të Turqisë, Erdogan, i cili në prani të udhëheqjes shqiptare në Tiranë e në Kosovë ka shpallur synimin për të arritur kufijtë e perandorisë Osmane. Me sa duket Mirdita do të pushtohet tani, edhe me inatin se nuk e pushtuan që nga shekulli 15 deri në 19.
Policia e Mirditës ka proceduar 51 persona në lidhje me shkatërrimin e simbolit turk në digën e HEC-it të Qafë Mollës në Mirditë. Të proceduarit janë nga Lezha, Mirdita dhe Puka. “Gjithashtu po punojmë për kapjen dhe shoqërimin e 14 personave të tjerë” thotë me mburrje policia, si të ishte duke raportuar para Portës së Lartë.
Sipas policisë këta persona organizuan një protestë të paligjshme duke hequr një simbol, çka “përbën vepër penale”. Atëherë shqiptarët paskan gabuar penalisht gjatë historisë që nuk kanë lejuar flamurin turk, as gjysmë- hënën, që kanë prishur bunkeret e diktatorit dhe monumentin e tij.
Këta duan ta kthejnë historinë kundër vlerës.
Veritas.com.al/