Reuters/Yiannis Kourtoglou
Në qoftë se britanikët votojnë për daljen nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 Qershorit, ky mund të jetë fillimi i fundit për bllokun 28 kombesh dhe për civilizimin politik Perëndimor, tha Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Në një intervistë me gazetën gjermane Bild, Tusk tha se i ashtuquajturi Brexit, mund të shkaktojë një rritje radikale të forcave anti- Europiane, të cilët, siç tha ai mund të jenë “duke pirë shampanjë”.
“Pse është kjo kaq e rrezikshme? Sepse askush nuk mund të parashikojë se sa jetëgjata mund të jenë efektet”, tha Tusk. “Si historian kam frikë se Brexit mund të jetë fillimi i shkatërrimit jo vetëm të BE, por gjithashtu i shkatërrimit të civilizimit politik Perëndimor në tërësi”.
Secili në Bashkimin Europian mund të humbë ekonomikisht, tha Tusk.
“Çdo familje e di se divorci është dramatik për secilin. Secili në Europë, por veçanërisht vetë britanikët, mund të humbasin ekonomikisht”
Sondazhet më të fundit dëshmojnë shumicë për ndarjen e Britanisë.
Gjitashtu Tusk shprehu shpresë se BE mund të mbijetojë në rast të Brexit, por ai tha se çmimi do të jetë shumë i lartë.