Arjan Konomi, kryefamiljari që u aksidentua të dielën në Tiranë, teksa kalonte vijat e bardha bashkë me gruan dhe fëmijën 3 muajsh, është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Shëndeti i tij është përkeqësuar dhe mjekët e kanë futur përsëri në sallën e reanimacionit për ta mbajtur nën mbikqyrje dhe të lidhur me aparaturat. Me disa brinjë dhe legenin e thyer, Arjan Konomi dje ishte në gjendje stabël.

Mbrëmjen e sotme, në orën 19.00 mjekët e spital;it të Traumës në Tiranë kanë marrë vendimin ta kalojnë nën mbikqyrje për shkak të gjendjes jo të mirë. Foshnja 3 muajshe fatmirësisht nuk u lëndua nga aksidenti te “Rruga e Kavajës”, kur bashkëshortja e tij, Vilma ka politraumë por është e stabilizuar.

Dinamika e ngjarjes në Tiranë

Çifti, i cili tani ndodhet në spitalin e Traumës, ishte duke kaluar vijat e bardha bashkë me djalin e mitur tre muajsh. Semafori ishte jeshil për ta dhe i kuq për mjetet, por aty kaloi me shpejtësi “skëterrë” një Mercedes luksoz me të cilin udhëtonte Ajas (Ilir) Sulejmani.

Mercedesi G Class u fut me semafor të kuq dhe përplasi çiftin me fëmijën e tyre.

Shoferi, i cili udhëtonte dhe pa patentë, braktisi mjetin dhe u largua përmes blloqeve të pallateve në zonën e njohur në kryeqytet si “Pallatet e Delijorgjit”. Shërbimet e Policisë u vunë menjëherë në ndjekje dhe e arrestuan në një spital privat.