
Avioni është rrëzuar në një zonë të banuar vetëm pesë minuta pasi ishte ngritur.
Një aeroplan me 242 pasagjerë në bord, është rrëzuar në një zonë të banuar pranë aeroportit në Ahmedabad të Indisë.
Gazeta “Times of India” raporton se një avion i Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel.
Uebsajti i gjurmimit të fluturimeve, Flight Radar, thotë në X: “Ne po ndjekim raportet për një rrëzim të fluturimit #AI171 të Air India. Ne morëm sinjalin e fundit nga avioni në orën 08:08:51 UTC, vetëm disa sekonda pas ngritjes”.
Mendohet se në bord ishin të paktën 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të stafit të kompanisë ajrore.
Gjithashtu u shfaqën pamje të njerëzve që transportoheshin me barela në ambulanca. Por, shifrat zyrtare të dëmeve dhe viktimave ende nuk janë zbuluar, teksa mjeti fluturues është përplasur pas objekteve të një zone të banuar dhe mund të ketë edhe viktima mes qytetarëve.
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka zhvilluar biseda urgjente me Kryeministrin e Gujarat-it, Ministrin e Brendshëm të shtetit dhe Komisionerin e Policisë, duke u informuar për situatën dhe duke garantuar ndihmë të menjëhershme nga qeveria qendrore.
Autoritetet janë duke hetuar shkakun e aksidentit, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për numrin e viktimave apo të lënduarve.
Komente