18 është bilanci i viktimave nga rrëzimi i një helikopteri pranë një kopshti me fëmijë, që ndodhi sot në Brovary, një qytet në rajonin e Kievit. Sipas Reuters mes viktimave është edhe ministri i Brendshëm ukrainas Denys Monastyrskyi, zëvendësit të tij Yevgeny Enin dhe Sekretarit të Shtetit Yuri Lubkovich. Gjatë momentit që helikopteri u rrëzua, në ndërtesë ndodheshin fëmijët dhe mësuesit. Ndërkohë 3 fëmijë humbën jetën e 10 të tjerë u transportuan në spital. Sipas informacioneve të dhëna nga Kievi, ministri i Brendshëm ishte nisur drejt një ‘zone të nxehtë të luftës’ në momentin kur helikopteri ku udhëtonte së bashku me zyrtarë të tjerë qeveritarë, u rrëzua.

Ndërkohë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ashpërsuar retorikën e tij duke deklaruar se do të forcojë ushtrinë ruse, numri i së cilës pritet t’i kalojë një milon e gjysmë ushtarë deri në vitin 2026. Ndërkohë që Zelensky bëri me dije se kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do të jetë së shpejti për vizitë në Kiev, Këshilli i Lartë dhe i Mbrojtjes së Italisë ka riafirmuar angazhimin për të mbrojtur sovranitetin territorial të Ukrainës.

SHBA nga ana tjetër po dërgon në Ukrainë armë të cilat mbaheshin në bazat amerikane të Izraelit. Duke qenë se ka pasur rënie të prodhimit të armëve, SHBA po përdor dy alternativa atë të magazinës në Korenë e Jugut dhe atë të Izraelit.

Numri i viktimave të Dnipros që u godit me raketa ruse, ka shkuar në 45 pesona, ku përfshihen edhe gjashtë fëmijë.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Ukrainë ku si pasojë e rrëzimit të një avioni mbi kopshtin e fëmijëve, kanë humbur jetën 18 persona, mes tyre disa fëmijë, ministri i Brendshëm i Ukrainës dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

“Ngushëllime të sinqerta e të përzemërta për qeverinë dhe popullin e Ukrainës, pas humbjes tragjike të jetëve të Ministrit të Brendshëm Denys Monastyrsky, zyrtarëve të tjerë dhe civilëve, përfshirë fëmijë pas rrëzimit të helikopterit në afërsi të Kiev. Zemrat dhe lutjet tona shkojnë për popullin e Ukrainës”- shkruan Xhaçka në Twitter.