Kandidatët që pasojnë në listat e deputetëve, pasi opozita e bashkuar ‘dogji’ mandatet, kanë nisur dorëzimin e formularit të dekriminalizimit në KQZ.
Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi dhe Edmond Rrushi kanë dorëzuar sot formularët e vet deklarimit në KQZ. Ata janë kandidatë nga radhët e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ylli Shehu ishte në listën e qarkut Tiranë, Roshi në listën e qarkut Elbasan dhe Mara ishte kandidate për qarkun e Dibrës.
Edmond Rrushi nga LSI-ja në qarkun Tiranë ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit në KQZ, duke e çuar në katër numrin e deputetëve që pranojnë thirrjen e KQZ për të marrë mandatet, pas vendimit të opozitës së bashkuar e cila dogji mandatet e deputetëve me 21 shkurt.
Ylli Shehu deklaroi për median se ka dorëzuar formularin e dekriminalizimit dhe kjo nismë është vendim i tij personal.
“Është vendim i imi personal. Do hyj si deputet i LSI, pastaj se çfarë do beje LSI me mua është çështje e tyre. Do votoj kundër mazhorancës”, tha Shehu.
Kujtojmë se dorëzimi i formularit të dekriminalizimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është hapi i parë për marrjen e mandatit të deputetit.
Veritas.com.al/