
Frrok Çupi
Nuk është e vetme vetëm në Shqipëri; as në rajon e as më tej nuk gjendet ‘Girl Vilage’. Vajza e Shqipërisë i lanë sytë çdo mëngjes në Lumin e Vlorës dhe shtrihet e bukur në Amantia.
Ata që i kanë kërkuar origjinën kanë marrë përgjigje si ata që bëjnë pyetje naive. Për të mos e afruar aq shumë emrin Vajzë, e kanë lidhur me një epokë që rrallëkush ka durim t’i shkojë afër.
-Emrin ‘Vajzë’ e ka marrë qysh kur fshati luftoi kundër Genghis Khan, perandori i pamëshirshëm mongol.
Njerëzit, me siguri e kanë sajuar vetë këtë histori të para njëmijë vjet, me qëllim që “ç’ke a derzi që merresh me ‘Vajzën’!”. Më ngjan me të njëjtën pikëpamje të filozofit Tomas Hobbes që thoshte për gërnjarët se ‘këta duan t’i gjejnë shtëpinë zotit’.
Javën e kaluar, tre ditë, Vajza mblodhi gjithë bijtë e bijat kudo në botë për të ‘festuar’; festuar thanë ata, por në fakt për t’u parë sy më sy, ‘a jemi të gjithë, ore!?’.
A jemi të gjithë?!. Në fakt ky është apeli i Vlorës dhe i gjithë Shqipërisë në mbijetesë. Vajza nuk është aq e thjeshtë
Sepse Vajza është kryeqendra e Nobelistëve tanë.
E dini se si një fshat me emër delikat Vajzë të ketë dy nobelistë?!
Këtu janë Ali Asllani dhe Shefqet Musarai (Çeçua) , djem të lindur e rritur këtu. Ne kemi Çmimin tonë, paçka se ç’bën Akademia e Stokholmit. Letërsia e të dyve tani ka humbur autorësinë; të gjithë e citojnë duke mos e ditur ose duke e dashur për vete.
Ali Asllani ka diçka më shumë se vetë ‘Nobeli’. Në vitet ’20 të shekullit të kaluar, Ali Asllani u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vlorës. Vendimi nga më të parët i Aliut si kryetar i Bashkisë ishte ky:
‘Kushdo që vjen për punë në Bashki të ketë këpucë të pastra, mundësisht të lustruara!’. Nuk lejohej ndryshe. Urdhëroi dy lustraxhinj këpucësh në portën e hyrjes dhe ata do të pastronin këpucët e të ardhurve. Kjo ishte puna e parë.
Ngjante me filozofin e shekullit 16, Bajrush Spinoza. I madhi dhe i ndrituri i kombit Dutch, dilte çdo mëngjes në rrugët e Amsterdamit, vinte stolin e pastrimit të syzeve dhe thërriste: ‘Ejani, pastroni syzet!’. Në të dy rastet kishte metaforë, por edhe sot nuk mund të zhvillohet kombi pa qytetarë të denjë.
Sepse Vajza i ka zhvleftësuar Genkhizët.
Ata i përkasin një kohe që ‘nuk ka ekzistuar’; megjithatë përrallën e mbajnë në kuti argjendi. Simbol i Vajzës është Perlat Rexhepi, Heroi i Popullit në Luftën e Dytë Botërore. Nja dy ose tre herë ia kanë ndryshuar vendin e monumentit. Tani kanë gjetur një shkëmb si zgjatim të malit, që shtrihet si dorë e fuqishme për andej nga Mifoli, dmth nga Perëndimi. Kuptimi i Perlat Rexhepit si ikonë është orientimi i njeriut të këtushëm drejt Aleancave Perëndimore. ‘Edhe po të mos e keshim Perlatin’, thonë vlonjatët, do ta krijonin si ‘atletin’ e Anës së Duhur të Historisë.
Heroi lindi në Vajzë, por ra heroikisht në Shkodër. Bashkë me dy djem shkodran, Jordan Misja dhe Branko Kadinë. Të tre në histori kanë hyrë me emrin ‘Tre Heronjtë e Shkodrës’, jo njëri i Vajzës, dy të tjerët të Shkodrës. Edhe po të mos kishte rënë në Shkodër, Perlati, padyshim që do të ishte hero në Veri të vendit. Një ditë u desh të ishte kështu.
Se ‘Genkhizët’ deshën ta ndajnë Shqipërinë në mes, jo para 1000 vjet, por para tre dekadash, 1997. Vetë presidenti i Republikës së re post Genkhiz, nisi avionë luftarakë dhe ushtri këmbësore për të pushtuar Vlorën e gjithë Jugun. Tani Vajza bën sikur e ka harruar, me qëllim që të mos harrohet por të falet. Pas kësaj tragjedie, me siguri që Shqipëria nuk mund të ndahet më.
Vini re çfarë ndodh me emrat! Pak më në Jug ka një mal që thërritet ‘Mali i Çikës’. Këtu vajzës nuk i thonë çikë, por çupë; në Veri thuhet ‘çikë’. Pak më poshtë është një fshat që quhet ‘Trevllazën’, por në Labëri nuk thonë ‘vllazën’, thonë ‘vëllezër’. Ajo që thonë për Gegë e Toskë, se jo vetëm nuk ndahen, por janë në simbiozë.
Donikat dhe Vojsavat hyjnë e dalin në skenë
Në skenën e jetës e të historisë, jo thjesht spektakël.
Nuk e kam fjalën vetëm për monitoruesen e Festivalit ‘Vajza Fest’, stolisur me bukuritë e Vajzës, por që nuk ka lindur këtu. Nuk ka as profesionin artiste, por është brilante. Më duket sikur hyn e del nga portat e argjendta të Fisnikërisë. Kur erdhi, erdhi nuse, tani është ‘e Zonja’, siç thonë në Veri.
Vetë lidhja me ideatorin e Kombit, Gjergj Kastrioti, ka fije të dukshme e të padukshme këtu. Fije që dëshmojnë mençuri dhe diplomaci.
Shikoni çfarë bëri vajzërori Hazbi Nurçe Hitaj, tani nuk jeton më. Pasurinë e tij e kishte dorëzuar për Luftën. Por tre vajzat e tij i quajti njërën në një anë të Botës, dy në anën e Perëndimit nga ku shikonte ‘Atleti i Krishtit’.
Abeja, vajza e parë e Hazbiut, në shenjë të Abrahamit. Donika në emër të gruas së Gjergj Kastriotit, e lindur në Kaninë dhe e përjetësuar në Mbretërinë e Napolit pas vdekjes së të shoqit. Dhe Vojsava është vajzë e tretë.
Në Vajzë funksionon emri, simboli, nderi, idoli, kombi, hapësira.., si në mrekulli. Kur Hzbi Hitaj po plakej e nuk mund t’i merrte më këmbë gjithë tokat që i shikonte syri, atëherë çfarë bëri?! Lëshoi kalin dhe i dha urdhër të trokonte ‘nga sytë këmbët’. Kali nuk u duk më për disa kohë. Derisa një fshatar nga Fieri i çoi fjalë Hazbiut të Vajzës: ‘Eja se kali ka ardhur te unë’. Aty ku mbërriti kali, aty i zoti zuri miqësi dhe dha Vojsavën për nuse.
Vajza është si safari ynë Jug e Veri, aty ku lëshon dritën e syrit të saj, aty është vlera jonë kombëtare.
Komente