Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka mohuar akuzat e SPAK. Në lidhje me pallatin që prokuroria thotë se është dhënë leja në kundershti me ligjin, Dako i tha gjykatës se nuk ka dijeni, madje nuk e di dhe sa kate është.

Më tej, ai ka dhënë sqarime edhe në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e “Brrylit” deri në “Currila”, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve. Sipas Dakos, kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët.

Burime brenda seancës bëjnë me dije se ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë momemt procedurën e prokurimit për këtë tender. Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie.

Avokati i tij mbrojtës, Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e “arrestit shtëpiak”, “detyrim për t’u paraqitur”, apo edhe garanci pasurore.  Ndërkohë, seanca vijon ku janë të pandehurit e tjerë që po japin shpjegimet e tyre për akuzat e ngritura nga SPAK.