Mbledhja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare ka nisur me debate të ashpra. Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj kërkon që drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku të përgjigjet për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.

“Nuk mund te bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vijojmë në këtë formë. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë”, tha Xhaferraj.

Më pas e mori fjalën deputeti Xhemal Qefalia u shpreh se ditën e sotme kanë temë tjetër për të folur.

“Sot kemi fatin që kreu i policisë vjen vet, jo si në kohën tuaj, kur vinte zv drejtori apo një drejtor drejtorie në rastin më të mirë. Sot kemi tjetër temë, e thërrasim prapë”, tha Qefalia.

Si përgjigje, drejtori i policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh se brenda 48 orëve do të japë përgjigje për Lear Kurtin.

“Jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve për të dhënë shpjegime për Kurtin. Së dyti edhe për çështjen Rasha, jap të gjitha shpjegimet e duhura. Do ju lutesha, që jo çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, janë të vërteta, reale dhe lidhen me hetimet e drejtësisë. Na respektoni mundin, djersën eg jakun e organizatës që jep për republikën e Shqipërisë”, tha Rrumbullaku.