Wagner ka bërë fajtore Moskën për vdekjen e liderit të tyre, Yevgeny Prigozhin duke i cilësuar si “tradhtar”.  Edhe pse shkaku i rrëzimit të avionit është ende i paqartë, thuhet se ai u shkaktua nga një bombë e fshehur brenda një kuti verërash të shtrenjta në bordin e avionit. E për këtë arsye, Wagner kanë fajësuar fajësuan drejtpërdrejt Kremlinin për vrasjen e liderit të tyre.

“Nëse informacioni se Prigozhin ka vdekur konfirmohet, ne do të organizojmë një marshim të ri për drejtësi në Moskë,” thanë ata, referuar “grushtit të shtetit” të bërë në qershor.

Në një video të publikuar nga mediat britanike, persona të armatosur që pretendojnë se janë luftëtarë të Wagner paralajmërojnë se asgjë nuk ka mbaruar.

“Shumë njerëz po flasin tani për atë që Wagner do të bëjë. Një gjë mund t’ju themi. Ky është vetëm fillimi. Bëhuni gati, ne po vijmë”, thuhet në video.

Lideri i mercenarëve të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin është konfirmuar si një prej 10 viktimave që ndodheshin në bordin e avionit privat Embraer-135, sipas Agjencisë Federale të Transportit Ajror në Rusi.

Agjencia ka konfirmuar po ashtu se nga rrëzimi i avionit të mërkurën në mbrëmje në rajonin Tver, ka humbur jetën edhe numri dy i Wagner, Dmitry Utkin, si edhe Sergei Propustin, Evgeny Makaryan, Alexander Totmin, Valery Chekalov dhe Nikolai Matyuseev. Përplasja fatale ndodhi pranë fshatit Kuzhenkino, 60 milje larg Moskës dhe rreth 30 minuta pasi avioni ishte ngritur në ajër.