Fotografi Leon Çika është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare pas një infarkti. Shqiptarja.com mëson nga të afërm të Çikës, se ai vuante nga probleme të zemrës, por edhe diabeti.
Pavarësisht kësaj, Çika ka qenë aktiv sa i përket jetës artistike, ndërkohë që kohët e fundit punonte dhe ndante të njëjtën studio me piktorin Adrian Devolli. Çika ka qenë edhe fotoreporter i Reuters në Tiranë.
Leon Çika lindi në vitin 1954. Në vitin 1976, ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën grafikë – dizajn. Herën e parë që Çika u njoh me fotografinë ishte pas përfundimit të studimeve, kur u emërua si piktor skenograf në Pallatin e Kulturës në Gramsh.
Gjatë karrierës së tij, Çika realizoi një sërë ekspozitash personale dhe ne bashkepunim, duke përfshirë ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve me tematikë mbi turizmin në Shqipëri. Ai u vlerësua me disa çmime, si “Naim Frashëri” dhe çmime për artin fotografik nga Ministria e Kulturës.
Leon Çika ishte i njohur për pikturat e tij të peizazheve dhe fotografitë artistike, duke lënë një trashëgimi të pasur në artin dhe kulturën shqiptare.
Komente