Për shkak të një ataku kardiak është ndarë nga jeta ish-Drejtori i Emergjencave të Lushnjes Robert Shtëmbari. 55 vjeçari ndodhej në burgun e Rogozhinës pasi u arrestua më 2 nëntor të këtij viti, pasi akuzohet se merrte nga 100 mijë lekë të reja për çdo punësim në drejtorinë e tij. Akuza ndaj tij është “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”.Në disa portale u shkrua se të burgosurit kanë akuzuar drejtuesit e burgut se ai humbi heton për mungesë të shërbimit dhe për vonesë të personelit mjekësor. Sipas të njëjtave burime për 40 minuta nuk kishte mjek apo infermier roje për t’i dhënë ndihmën e parë 55 vjeçarit dhe kanë qenë bashkëvuajtësit ata që kanë tentuar ta mbajnë gjallë Shtëmbarin por fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Sipas tyre, me makinë civile të një punonjësi të burgut ai është dërguar për në spital, por ishte shumë vonë. Të burgosurit pretendojnë se burgu nuk ka ambulancë mjekësore dhe personel mjekësor gjatë mbrëmjes.
Në një reagim të saj Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se sapo ka ndodhur ngjarja, rreth orës 16:40, është njoftuar mjeku roje i institucionit, i cili ishte prezent dhe ndërhyri menjëherë. Pas dhënies së ndihmës së parë ne institucion, i paraburgosuri është nisur për trajtim të specializuar në qendrën shëndetësore Rrogozhine, ku ka mbërritur në orën 16:50. Rreth 20 minuta pas paraqitjes aty, i paraburgosuri ka ndërruar jetë. Po sipas deklaratës zyrtare ky shtetas vuante nga tensioni i lartë, gjë për të cilën trajtohej rregullisht. Vetëm dy dite më parë ai është shoqëruar për një vizitë te mjeku specialist.
16 Dhj 2015