Banese sociale dhe bonos qiraje. Kjo është oferta e kryebashkiakut Veliaj për të gjithë banorët që kanë ndërtuar në gjurmën apo në shtratin e lumit dhe që preken nga projekti për Bulevardin e ri.

“Sot ka nisur lirimi i brezit të parë të shtëpive. Do të vazhdojmë kështu çdo ditë. Në Tiranë nuk do të lejojmë ‘astirizimin’ e shoqërisë: kap një deputet budalla, gjej dhe nja dy media të politizuara, dhe mbaj gjithë shoqërinë peng. 99.99%  e këtij qyteti do të ecë përpara, do që gjërat të bëhen me drejtësi dhe që taksat të përdoren me kujdes.  Ajo që kemi propozuar është: Kush ka ndërtuar në shtrat të lumit, aty ku përfundon bulevardi, do marrë banesë sociale… Ama, t’u marrësh lekët e shkollave taksapaguesëve sepse ke ndërtuar pa leje në breg të lumit, nuk shkon. Edhe Sali Berisha që e shkatërroi këtë shtet, edhe ai nuk i përfshiu në VKM, që s’e kishte problem fare ta shkatërronte edhe më shumë. Por, kur edhe ai pati një limit të çmendurisë së vet, do të thotë që ne të tjerët duhet ta kemi patjetër një limit.”

Teksa inspektoi ecurinë e punimeve të shkollës Servete Maçi, Veliaj shprehu vendosmërinë për ndërtimin e shkollës në Kodër Kamzë.

“Shkolla që do ndërtojmë në “Don Bosko”, do jetë me e mirë se “Servete Maçi”, kurse ajo e Kodër-Kamzës, do jetë më e mirë se të gjitha bashkë. Pse e them këtë? Sepse kush ka jetuar në Tiranë këto 4 vite dhe ka parë me sytë e tij zhvillimin, kupton se ata që sulmojnë sot shkollat janë të njëjtët ata që sulmonin deri dje sheshin, Pazarin e Ri, lodrat te Liqeni.”

Shkolla e re në Kodër Kamëz parashikohet t’u shërbejë 30 mijë banorëve të zonës.

Veritas.com.al/