Kryetari i Bashkisë i Tiranës, Erion Veliaj shtrëngoi sot duart me banorët e zonës së Astirit, duke e futur çështjen e zgjerimit të Unazës së Madhe në rrugën e zgjidhjes. Kështu deklaron Bashkia e Tiranës, e cila njofton se Veliaj priti sot në një takim në sallën e Këshillit Bashkiak një përfaqësi të zgjeruar të banorëve të “Astirit”, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe.

Por nuk dihet nëse të gjithë banorët janë dakord me Bashkinë.

Veliaj i falënderoi banorët që pranuan t’i hapin rrugë zbatimit të projektit, që do ta kthejë edhe këtë segment të Unazës në një rrugë sipas të gjitha standardeve, duke çliruar në të njëjtën kohë edhe trafikun e makinave.

“Ky qytet e ka ndarë mendjen të zhvillohet dhe duhet të eci përpara”, tha Veliaj.

Arsyeja pse dua të falënderoj të gjithë miqtë e tjerë është se të paktën këtu nuk kemi ndarje, këtu kemi dakordësi maksimale… Fakti që kemi stabilizuar këtë bazë dakordësie është një fillim i mirë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë bisedës që zhvilloi me ta.

Veliaj bëri të ditur edhe një herë se për të gjithë ata që s’kanë mundësi ekonomike Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion disa zgjidhje nga paketa e saj sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te strehimi në banesa sociale.

“Bonusi i qirasë ‘cash’ është 3 vjet, po edhe atë mund ta rrisim, po banesa sociale gjithë jetën…”, tha Veliaj.

Veritas.com.al/